February 28, 2013

[Survivor] Tell me, I am all ears

People of the world, e keni parë atë këngën e re c'est la vie që ka bërë Khaled? Kanë kaluar 20 vjet që kur ka bërë Aicha-n, por s'i ka rënë fare entuziazmi. Kurse buzëqeshja prej arabi të lumtur, priceless.

Këto po mendonte në orën dy të natës Rita ndërsa kënga po jepej në televizor. Uli sytë te filxhani i kafesë dhe buzëqeshi hidhur. Ky shejtan nuk më thotë më shumë se sa di vetë. Kishte kohë që ishte bindur për këtë.

Rita kishte mbaruar për anglisht, por ëndrra e saj ishte të bëhej gazetare, madje reportere. Nuk i pëlqente politika, ose tema të tjera në veçanti. Asaj i pëlqente ta merrte vesh lajmin e para dhe pastaj ta transmetonte sa ishte akoma i "nxehtë". S'kishte lumturi më të madhe se sa fytyrat e shqyera nga habia të njerëzve. "Vërtet? Si ka mundësi? Kush e tha? Rita". Lajmi më parë kalon nga unë ishte një shaka që Rita e thoshte shpesh kur ishte studente. Sot dikush ia kishte marrë sloganin dhe ia kishte shitur një televizioni.

Ndonëse nuk e kishte ushtruar si profesion, Rita dinte më shumë se një reporter për qytetin e saj provincial. Që herët kishte shpikur metoda origjinale për të futur hundët në jetën e të tjerëve. Shëmbujt e përgjimeve numëronin nga më të pafajshëmit deri te më diabolikët. Kur i vëllai ishte nisur për muaj mjalti, kishte plasur nga kurioziteti se si po shkonte me nusen. Kishte marrë telefonin, i kishte rënë nuses së vëllait dhe e kishte lënë mbi televizor. Kur ajo u përgjigj, Rita fliste nga aneksi kinse po i bërtiste të birit: "Denis ma ke parë gjë telefonin? Se mos po luan me të? Prapë po u bie numrave kot? Na grive nga lekët. Hë Elsa, se s'i rrinë duart Denisit. Ee ee, po nejse, si po ia kaloni ju andej? Mirë si javë e parë?". Dhe kështu e kishte zhbiruar dhe kishte njoftuar e para në fis.
Rita në fillimet e saj

Kur Reporters Without Borders shpallnin të dalluarit e vitit, Rita i ndiqte me një farë zilie. Fundja dhe ajo kishte sakrifikuar për kauzën. Një herë aq shumë ishte varur në ballkon që të përgjonte komshijet që flisnin te cepi i pallatit sa kishte rënë. Dy fraktura dhe njw ndrydhje. Sa të ulëta që i bënin dhe këto parvazet! Mirë që jetonin në kat të dytë.

Ora ishte 2:30 AM dhe Rita ishte në "orar të punës". Dritën e kishte fikur me kohë dhe po kuptonte se sot ishte një natë e pazakontë. Diçka e paprecedent po ndodhte...

Kishte shpikur një metodë krejt të sajën për të mësuar për fqinjët. Ndërsa, shoqet e saj thashethemaxhije i nxirrnin me grep fjalët nga komshijet, Rita shikonte cilat drita ndizeshin natën në pallatin përballë. Pallati i saj kishte formë L-je, gjë që i jepte mundësinë të mbikëqyrte dhe gjysmën e tij.

Për herë të parë, kjo kishte ndodhur rastësisht. Ishte ngritur natën për të pirë ujë, kur kishte parë ndezur dritën e dhomës së gjumit të Sofisë dhe të Alekos. Po të mos kishin gjumë mesiguri do kalonin nga kuzhina. Mos po e bëjnë me dritë ndezur? Jo, jo, s'është nga ata Aleko. Kanë një hall dhe po e pleqësojnë. Të nesërmen duke i parë Sofisë filxhanin e kafesë ia kishte lëshuar shigjetën: "Ke një hall, po më parë duhet të biesh në një mendje me Alekon". Sofia qe dridhur.
Vajzat e Ritës


Ditë më pas ishte specializuar në interpretime dritash. Kur një natë kishte parë të ndezur dhe dritën e kuzhinës dhe dritën e dhomës te shtëpia e Sofisë, gjithçka ishte bërë e qartë. Po grinden. Secili është në dhomë më vetë dhe s'duan të flasin. Bisedat e filxhanit kishin konfirmuar gjithçka.

Më pas kishte lajme nga çdo shtëpi. Rezarta, ajo beqarja e frëngjishtes sillte rregullisht një dashnor në shtëpi. E kishte kuptuar nga hija që çifti linte te perdet. Më vonë kishte kuptuar kush ishte dhe dashnori, Artani i katit të katërt. Ishte shumë e lehtë. Nga ora 1 ndizej drita në kat të katërt, pas një minute fikej. Pas 30 sekonda ndizej drita e Rezartës, 2 hije mbi perde dhe drita fikej.

Sot po ndodhte diçka interesante në faqen tjetër të L-së të pallatit të saj. Dikush, i paskësh marrë apartamentet me radhë. Ishte e njëjta siluetë mashkulli të cilën e kishte parë në dy apartamente të ndryshme. Dy dashnore në të njëjtin pallat, në të njëjtën natë...

Që Rezarta ishte kurvë s'kishte pikë dyshimi. Herë pas here ndizej dhe drita e katit të pestë, pas 30 sekondash drita e Rezartës, hijet, errësira. Tani nga fundi ndizeshin në një kohë dritat e katit të katërt dhe të pestë, pas 30 sekondash drita e Rezartës, 3 hije mbi perde, errësira. Madje njëherë kishte parë 3 drita, 4 hije...

Dashnori misterioz ishte tek dashnorja e katërt dhe kishte me shumë se 40 minuta që dritat nuk ishin ndezur. Dashnorja e tretë kishte qenë Rezarta, normale. Hallall, tha Rita me vete këtij i them mashkull unë. Nuk kishte parë të hynte njeri në pallat, kështu që mashkulli misterioz duhet të ishte i lagjes. Ndërkohë drita nga dashnorja e katërt u ndez. Zemra e Ritës filloi të rrihte fort. Do mbyllej me kaq apo do kishte dhe një të pestë. Ndërkohë Rita ndjeu derën e apartamentit të saj të hapej me ngadalë dhe pa të shoqin i cili po hynte vjedhurazi. "Petri po ti?", pyeti Rita tërë frikë, ngaqë nuk e kishte parë të dilte. "Ja dola për të pirë një cigare". Filxhani ra nga dora e Ritës dhe u thye në një mijë copa.
"E more vesh për burrin e Ritës mi?"

Gjeniu i vogël: What goes around comes around (jo si shprehje, por si këngë).

19 comments:

  1. Hahahha u rikthyet, se ishit bere shume serioze :)

    ReplyDelete
  2. Rita paska qene yll e re :)))))

    ReplyDelete
  3. ajo duhet te gezohet qe burri ka fuqi te kenaqe gjithe lagjen :)

    ReplyDelete
  4. Rita prape s'ka duruar dot dhe e ka hap llafin edhe per burrin e vet :)

    ReplyDelete
  5. Kot i ke vene emer kesaj Skiftero, kshu jan tgjitha grate

    ReplyDelete
  6. hahahaha Dicka me thote se skifteri i ka te degjuar gjysmat. Keshtu qe mund ta thoshte bazuar mbi nje histori te vertete

    ReplyDelete
  7. Kjo foto me plakat do me dale edhe ne ender...

    Po u knaqa me postimin sot, te gjithe e njofim nje te tille :)

    ReplyDelete
    Replies
    1. Pse mi? Ato plakat po flasin per eurovizionin

      Delete
  8. nuk ka faj Petri i shkrete, ndihej i lene pas dore nga Rita, e cila e kishte mendjen gjithe naten te pergjonte komshinje

    ReplyDelete
    Replies
    1. Imagjino sa i lene pas dore ishte ndier

      Delete
    2. Nje qe sle grua lagje ne kembe nuk e ben se eshte i lene pas dore...

      Delete
  9. Keta jane pa pune Skiftero, silli ketu ku punoj une ta shofim sa kohe do kene te merren me llafe :))

    Ika se me kapen :)

    ReplyDelete
  10. hahaha S'e kuptoj fare kete Riten. Me gjithe ate burre, me gjithe ato vajza merret me kshu gjerash :P :P

    ReplyDelete
  11. Riten qeka me e njof vetem per gocat :)))

    ReplyDelete
  12. Khaledi ka korrur sukses me verte <3 :)

    ReplyDelete
  13. Me rafte pika Rita shkrete... Kujtoi prej kohesh se e kishte kjo situaten nen kontroll e i dinte te gjitha, kur oooop surpriseee...

    Petriti big cheater, po cte besh, te gjithe meshkujt njelloj jane :p

    ReplyDelete
    Replies
    1. Petriti cheater lokal, se mos e kalonte lagjen :)

      Delete