January 31, 2013

[Survivor] The world is mine

Çelësi i suksesit; një libër që të tregon si të jesh vetvetja
Kushedi sa libra dhe filma keni parë në të cilin personazhi kryesor ka një ëndërr, një vizion dhe nuk heq asnjëherë dorë derisa e realizon. Mesazhi është "ki besim" edhe pse ndonjëherë të duket sikur jeta ka marrë rrokullimën. Skifteri mburret në këtë fushë më novelën e tij "2P" e përkthyer tashmë në 112 gjuhë - and counting - dhe që njihet në letërsinë botërore me titujt "Le fabuleux destin de Penellopi Papavangjeli" ose "The curious case of Penellopi Papavangjeli".

Penellopi lindi në vitin e paharrueshëm 1950, ose siç quhet ndryshe për Shqipërinë La Belle Époque. Gjatë gjithë rinisë së saj ajo vuri re që nuk kishte as edhe një cilësi. Po as edhe një kokërr të vogël cilësie. Nuk ishte budallaqe, por nuk shquhej mbi të tjerët për asgjë. Këtë ajo e kishte kuptuar dhe ia pranonte vetes me sinqeritetin më të madh. Megjithatë, e ndjente se ajo një ditë do udhëhiqte njerëz, do kishte pushtet. Për këtë ajo nisej kryesisht nga datëlindja. Kishte lindur në mesin e shekullit, sa njerëz e kishin patur këtë fat? Data e lindjes, 5 maj, e shtonte dhe më shumë misticizmin. 05.05.50 kishte shkruar ajo sa e sa herë nëpër dokumente. E ëma madje një ditë i kishte thënë duke qeshur që kishte lindur në orën 17:05.

Megjithatë vitet kalonin dhe jeta e Penellopit ishte më e rrafshtë sa dhe vetë përkufizimi i planit në matematikë. Mezi kishte mbaruar një degë në fakultetin filologjik dhe menjëherë kishte filluar punë në një fabrikë atlasesh. Pak vite më vonë u rikthye në fakultetin filologjik për të zëvendësuar një sekretare që kishte mbetur shtatzënë. Edhe Penellopi donte të krijonte familje por meshkujt, mendonte ajo, janë të gjithë njëlloj, edhe të papjekur, edhe budallenj, edhe të duan vetëm për një gjë dhe pastaj të lënë.

Puna si sekretare ishte e lodhshme dhe e mërzitshme, punë letrash. Me pak fjalë, nuk i shtyhej fare...

***

Çdo njeri i madh dhe i pushtetshëm ka pasur në jetën e tij një moment kur fati ka marrë kthesë në mënyrë deçizive. Ashtu siç ishte beteja e Gaugamelës Aleksandrin e Madh, ajo e Marengos për Napoleonin, apo ajo e Yorktown për Skifterin, kthesa për Penellopin ndodhi në një ditë të nxehtë korriku, kur derën e zyrës së saj e hapi një fakir fukarai. "Dil përjashtë!" i bërtiti Penellopi e cila nuk po duronte veten nga vapa. Fakiri doli me të shpejtë dhe mbylli derën. Në atë çast në mendjen e Penellopit u ndez drita. Sa e thjeshtë paska qenë. E kishte patur para syve dhe s'e kishte kuptuar. Që nga ajo ditë, marrëdheniet e Penellopit me publikun ishin një nga skenaret e mëposhtme:

I.
S - Mirëdita!
P - Dil përjashtë.
S - Erdha për një vërtetim notash. Tani është orari me publikun...
P - Dil përjashtë, thashë.

II.
S - Mirëdita!
P - Dil përjashtë.
S - Jam Filani (mbiemër i dikujt me pozitë).
P - Si e keni hallin?

III.
S - Mirëdita!
P - Dil përjashtë.
S - Kam një hall që duhet ta zgjidh me patjetër.
P - Eja pas orës 3 (ishte ora kur Penellopi mbetej vetëm në zyrë).

Karvanë të tërë me trasta e dhurata hynin e dilnin nga zyra e Penellopit. Kërkesat për martesë ishin shtuar, por ajo kishte inat të akumuluar me meshkujt, për më tepër tani i dukeshin edhe interesaxhinj. Ardhja e demokracisë e ndihmoi dhe më shumë. Ajo vuri re që diplomat i realizonin sekretaret bazuar mbi notat që profesorët shkruanin në regjistër. Ajo gjithashtu vuri re se diplomat mund të merreshin nëse notat në regjistër ishin kaluese, pavarësisht nëse ato i shkruante profesori apo dikush tjetër...
Radha te zyra e Penellopit vazhdonte në oborrin e fakultetit
Vizioni i Penellopit po përmbushej. Ajo e vinte re se njerëzit vinin me ndrojë në zyrën e saj. Ose që i jepnin lekë/dhurata edhe për gjëra që kishin të drejtë t`i kërkonin, që Penellopi kishte për detyrë t`i bënte. Kishte dhe përjashtime. Disa tipa të veshur me kollare hynin serbes dhe i diktonin ç'duhet të bënte. E gërryente dyshimi nëse ata ishin me të vërtetë të rëndësishëm apo ishte thjesht një bluff, siç bënte shpesh vetë Penellopi. Por nuk ua kishte kthyer asnjëherë. Gjithsesi ata ishin pakica. Shumicën, të dominueshmit, ajo do t'i dominonte. Për pak desh nisi një sekt, por nuk kishte karizmën e Eleonorës dhe hoqi dorë.

***

Sot Penellopi ka dalë në pension. Ndonjëherë, para se të flejë mendon nëse ato që ka bërë janë të moralshme dhe a duhet ta vrasë ndërgjegja. Ndërgjegja nuk e kishte vrarë asnjëherë. Kur kishte kaluar pa meritë një student, për shembull, kishte bërë të lumtur një njeri dhe familjen e tij dhe do mërziste shumë, po shumë pak 3 milionë të tjerë, nëse do merrej vesh. Kishte ndihmuar qindra njerëz, i dukej vetja shumë humane. Ajo ishte një lubrifikant i domosdoshëm, si korrupsioni, siç thuhej në një film. Nëse shoqërinë do ta shqetësonte kaq shumë kjo sjellje e saj, atëherë me siguri do të kishte marrë masa duke e kontrolluar më shpesh. Pastaj njerëzit po vrasin po presin dhe udhëheqin shtete, te mua qoftë problemi. Leqë një tjetër në vendin tim do bënte më keq, imagjino të vinin Kristanthinë...
Këto mendon Penellopi ndonjëherë dhe kthehet nga ana tjetër ku zakonisht e zë gjumi duke gërhitur.

PS: 2P nuk është Propaganda Due.

Gjeniu i vogël: Në jetë të mirat dhe të këqijat kompensohen.

January 30, 2013

[Anatomi] Shoku Zylo regjizor

Të dashur miliarda lexonjës,

Skifteri, siç e dini mirë të gjithë, ndodhet në Timbuktu duke negociuar për një paqe afatgjatë. Në fundjavë, për arsye të ngjashme, atë mund ta gjeni në Aleppo ose West Bank.

Pavarësisht këtyre, Skifteri dëgjonte aq shpesh një fjalë, sa për pak filloi të dyshonte se po dëgjonte zëra. Kjo fjalë ishte në gojën e të gjithëve, si një mantra, sikur kishin frikë mos e harronin.

Argo, Argo, Argo…

Pastaj u mor vesh. Qenka një film. Gjysma e së keqes.

Pastaj erdhën dhjetëra njerëz që flisnin për këtë, paska fituar këtë dhe këtë çmim, është nominuar për këtë dhe këtë çmimin tjetër. Disa e kishin parë, disa kishin dëgjuar për të, disa kishin lexuar për të…Argo po merrte statusin e një legjende. Avash avash po tingëllonte si emër bajlozi.

Skifteri mblodhi ca çuna denbabaden Timbuktuje dhe pasi falënderoi Zotin 3 herë që i ofroi këtë shans, pa filmin.

Dy orë nga jeta të çuara dëm.

Një ngjarje e vërtetë, që kishte shumë potencial të kthehej në një film që mbetet në kujtesë, ishte kthyer në një film banal, pa suspans, plot me cliché (e mbani mend Chuck Norris? Është më i besueshëm), me një fund skandaloz ku aktori protagonist 30 sekondat e fundit bashkohet me gruan, e cila nuk merret vesh nga doli sepse filmi vetëm për atë që s`ishte.

Domethënë, ky aktori shpëtoi disa amerikanë duke i marrë nga Irani i sapokthyer në teokraci pas revolucionit dhe pasi mbaron çdo gjë, kujtohet që është që është, t`i fusi një pajtim me gruan.
Do ishte më koherent si film në qoftë se ky aktori më pas do hapte një fast-food të suksesshëm, pastaj do mërzitej shumë nga vdekja e gjyshes, do merrte gjyshin të jetonte me të dhe do zgjidhte një telefon Android para iPhone.

Pastaj Skifteri vuri re diçka. Regjizori ishte po ky aktori që sapo folëm.

Ben Affleck. Njeriu më i patalentuar në botë. Absolutisht asnjë shprehje në fytyrë, asnjë rol të vështirë, gjithmonë mediokër, një copë druri që duhet të punonte në një agjensi funerale, shpresa e çdo njeriu të zakonshëm që edhe një pemë mund të bëhet dikush.
Një fytyrë më shprehëse se Ben Affleck

Aty gjithçka mori kuptim, ky film mund të ishte vetëm pasqyra e regjizorit, një ngjarje lineare që nuk shkakton asnjë emocion përveç antipatisë për këtë tipin.

Por mbetej një problem i vogël. Një pjesë e vogël e këtyre njerëzve që ia kishin mburrur filmin Skifterit ishin vërtet njohës të kinematografisë, dinin të dallonin një klloun si Ben Affleck nga një Scorsese…

Viktima të kritikës. Duhet shumë guxim të dalësh kundër një “universal critical acclaim” dhe shumë çmimeve. Sepse vjen direkt fjalia "nga dole ti tu e shajt ai ka fitu 500 çmime, merr vesh ti"...

Skifteri u betua që nuk do shihte më kurrë ndonjë filmim që kishte të implikuar këtë personazhin që folëm sipër, u kërkoi falje çunave të Malit që kishin lënë përgjysmë luftën për këtë “Une, Ti dhe Kasandra” amerikan dhe u nis për në Algjeri për të zgjidhur ca çështje urgjente.

Gjeniu i vogël: Ben Affleck ka lujt vetë te ky filmi se s`kishte buxhet për aktor kryesor.  

January 29, 2013

[Anatomi] Duam dije

Skifteri ka vendosur që këtë javë të jetë vetëm pozitiv, kështu që do flasim vetëm për gjëra të bukura. Po ku ka gjë më të bukur se dija. Kjo është vetëm pjesa e parë e një triologjie (me tre pjesë, për ata që s'e kuptojnë) dhe titullohet Intro. Dy të tjerat janë Bridge dhe Refreni. 


Qeveria ka marrë masa prej kohësh për zhdukjen e injorancës dhe ngritjen e nivelit arsimor të popullsisë në përgjithësi. Si fillim vendosi që të gjithë të diplomuarit të fakulteteve 4 vjeçare të konsiderohen me master. Si rrjedhojë, që të nesërmen numri i atyre me master u 20-fishua. Po reforma nuk u ndal këtu: arsimi i ulët dhe i mesëm kaloi nga 8+4 në 9+3 dhe pritet të shndërrohet në 4-4-2. Rezultatet duken sheshit. Për të mos përmendur pastaj Internetin falas te Posta Shqiptare.

Në Shqipëri ekziston një histeri e prindërve për tu siguruar fëmijëve një shkollim të lartë. Skifteri gjithmonë ka menduar se ca njerëz thjesht nuk janë për shkollë dhe këtu s'ka asgjë të keqe. Mirëpo duke parë që "niveli i arsimimit po rritet" dhe që Tirana është qyteti me më shumë universitete në botë (plot 36), është turpi më i madh, pas vjedhjes, të mos kesh të paktën 2-3 diploma në fushat kryesore.
Të rinj shqiptarë të etur për dije

Skifterit i ka ardhur në majë të hundës me denigrimin e këtyre universiteteve. Sipas këtyre sharlatanëve cilësia na qënkërka e dobët. Po ç'ke o njeri që shpif dhe flet pa fakte? Sot Skifteri do ju vërtetojë të kundërtën vetëm me një PC. Fillojmë pa humbur kohë.

Hyjmë te websiti i APAAL (Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë). Gjëja e parë që të bije në sy është adresa www.aaal.edu.al, pa "p". Para se cinikët të hidhen përpjetë, P-ja ka sjellë gjithmonë telashe, kështu që... Në versionin shqip kemi 44 universitete të listuara, në versionin anglisht kemi 47 sepse 3 nuk përktheheshin dot. Gjithsesi 36 i përkasin Tiranës. Nga të rretheve do veçonim shkollën e lartë Nehemia (Buçimas, Poradec). Për çdo universitet ke të dhëna rreth organigramës, rankimit dhe analizës, programit studimor, stafit akademik, etj. Ndonëse për momentin do të gjeni vetëm dokumentin e akreditimit, të dhënat e tjera do të hidhen së shpejti. 

Po kush janë ajka e arsimit të lartë shqiptar? Skifteri do t'ju bëjë një tour virtual të 4 universiteteve më në zë. Mbahuni fort.

1. Akademia e Ndërtimit e Tiranës (Linzë, Dajt). Në mungesë të websitit zyrtar, faqja në facebook numëron jo më pak se 379 likes. Slogani: "Ne nuk ndryshojme boten por ndryshojme njerezit qe te ndryshojne boten....." (hyni dhe shiheni vetë po s'besuat). Hyjmë te fotot. E njëjta klasë me 80 nxënës ngjitur që mezi marrin frymë. Te të gjitha fotot kemi një slide me titull "Betoni", sepse nëse do të bëhesh ekspert betoni, nuk ka emër tjetër. Klasa ka një pamje spektakolare me një shkëmb 1/2m larg dritares.
Panorama e klasës së Akademisë së Ndërtimit të Tiranës

2. Universiteti Aldent (Rruga e Dibrës, te Selvia, universitetialdent.edu.al). Te homepage-i lexojmë "university facts, why you should choose us", të marra me copy/paste:

  • 70% of the students have reachede studentëve kanë arritur rezultate maksimale  (Imagjino si merren notat këtu, të ***** kurbën e Gauss-it).
  • #1 Ranked as one of the best university in the field of medicine (tani, i pari apo ndër të parët?)
  • 150+ Number of students who have their own clinic (ku hyn fakulteti këtu?)
  • 4 Years experience in the field of medical sciences (since 2009 dmth?)
  • 85% Percent of our university staff holds degrees (no comment...)
Përveç këtyre, te facilities gjejmë dhe Internet dhe fotokopje. Ia fut edhe Postës Shqiptare.

3. Universiteti Ndërkombëtar i Tiranës (Rruga e Elbasanit, universitetinderkombetar.com/). Në homepage kemi përshkrimin: "Universiteti Ndërkombëtar i Tiranës (UNT), është i vendosur në një nga zonat më të bukura, të qeta, dhe të gjelbëruara të Tiranës". Pastaj hyjmë në faqen e tij në facebook. Statusi i fundit: "Te shtiresh i gezuar kur je i merzitur,eshte njesoj sikur te dalesh ne shi dhe te thuash nuk jam lagur…". Patjetër është marrë nga E.M. Remark. Si dhe një shprehje nga J. Morrison: "Mos qesh kur dikush tjetër qan … sepse ftohtësia e lotit të tij, mund të ngrijë buzëqeshjen tënde". E sa e sa të tjera: http://www.facebook.com/UNT.faqja.zyrtare.

4. 100 Vitrinat (Bulevardi Dëshmorët e Kombit, vitrina.edu.al). Ky universitet ka vetëm oferta të parefuzueshme:

KRIJOJE VETE FATIN TEND SH.L.U.P VITRINA – .
Universiteti “Vitrina” ofron tarifa të përballueshme nga të gjithë.
Cdo regjistrim ne SH.L.U.P “VITRINA” ne secilin prej fakulteteve vetem 540 euro / 1 vit
1000 euro / 3 vite
PA ASNJE DETYRIM TJETER!
Plus Autoshkolle falas
Plus Word-Excel
Plus Spoken English
Plus Power-Point
Klikoni: Tarifat e Regjistrimit në SH.L.U.P VITRINA
Adresa 1: Tiranë, Bulevardi Dëshmorët e Kombit pas Kryesisë së Kuvendit.
Tel: +355 42 42 09 90 Cel:+355 68 20 61 561, Sms: +355 68 20 67 991
Pamje nga klasa e universitetit 100 Vitrinat

Së fundi, Skifteri e ka flamurin në 1/2 shtizë. E dini çfarë ka ndodhur apo jo? Fshati digjet zuzka krihet... Shprehim ngushëllime të thella universitetit "Dentarium - Al" i cili është mbyllur nga APAAL për motive të dobëta. Do ishte padyshim një nga 10 universitet e para të Tiranës në fushën e Mjekësisë.
 
To be continued...

Gjeniu i vogël: Është mëkat t'i zësh vendin atij tipit që shkruan statuset në facebook për Universitetin Ndërkombëtar të Tiranës.

January 28, 2013

[Anatomi] Djemtë tanë


Të dashur miliarda lexonjës,

Skifteri propozon ta nisim të hënën me gjëra pozitive, me zemër të lehtë, pa qenë cinikë. Prandaj sot do festojmë hapat galopantë të femrës në Shqipëri.

Një duatrokitje për femrën shqiptare! (“bravooo!”)

Tani, femra shqiptare në këto 20 vjet ka ecur vërtet përpara. Pavarësia gjithnjë e më e madhe ekonomike pastaj ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë, i ka dhënë vetëbesim të mëtejshëm femrës sonë.
Një grua 18-vjeçare duke gatuar (asokohe)

Për shembull, një 30-vjeçare në fillim të viteve `90 thjesht mbaronte detyrimet e lindjes së fëmijëve dhe priste të vdiste, duke treguar një rënie fizike të tmerrshme. Tani është plot me 30-vjeçare moderne, që mbajnë trupin në formë, kujdesen për shëndetin, kanë një karrierë që lulëzon dhe jetojnë në vend që të mbijetojnë.


Dëgjon gjithnjë e më shpesh për femra që vendosin të jetojnë vetëm ose me një shoqe vetëm për hir të pavarësisë, dëgjon për aspiratat e tyre dhe vë re diçka:

Mashkulli përmendet gjithmonë e më pak.

Varësia ndaj mashkullit ka rënë në mënyrë drastike. Femra nuk ëndërron më jetën shtëpiake me 3 fëmijë, me punë shtëpie, duke gatuar dhe duke pritur të veshura me përparëse burrin që kthehet nga puna, nuk jetojnë më vetëm për një fjalë të mirë të burrit që i pëlqeu gjella, dhe që me shumë mundësi do u ofrojë edhe seks si rrjedhojë.

Çudi, gati gati na kishin mbushur mendjen që vetë femra e donte këtë jetë, jo se s`kishte zgjedhje, por kështu ishte ndërtuar që në zanafillë, për të shërbyer, për të rritur fëmijë. Meqë kështu donte, ne i kishim plotësuar dëshirën, qejf të ketë.

Na kishin mashtruar. Ose më saktë, ne, meshkujt, e kishim shpikur këtë version, sepse kështu na leverdiste. Secili ka bërë gjithmonë atë që i ka leverdisur. Kështu edhe femra, sa pa hapësira për të avancuar, nuk humbi kohë dhe fitoi lirinë që i takonte. Gjithçka këtu është natyrale.

Makthi i mashkullit shqiptar

Tani, ku është mashkulli shqiptar në gjithë këtë transformim të femrës?

Një hap mbrapa, duke u munduar t`i mbushë mendjes që ky zhvillim është anormal, që këto janë një pakicë që e kanë kuptuar gabim emancipimin, sepse vendi i femrës është në kuzhinë ose në një park lojërash me fëmijët.

Pastaj i sheh tek acarohen kur fillojnë një bashkëjetesë, sepse ndodh që femra refuzon të jetë kafshë pune, të dy punojnë njëlloj, pra edhe punët e shtëpisë do duhet t`i ndajnë. Pastaj kjo femra e emancipuar që aq shumë i kishte pëlqyer mashkullit në lidhje pikërisht për këtë arsye, pretendon të ketë një jetë sociale të ndarë nga ai, kolegë pune, udhëtime me shoqet…dhe këtu mashkulli fillon të irritohet. Pse acarohen?

Përgjigja është gjithmonë e njëjtë; sepse nuk u leverdis.

Mashkulli shqiptar lodhej pak dhe investonte derisa lidhja konsolidohej, pastaj që kur fillonte bashkëjetesa, fillonte jetën sedentare sepse femrën “e kishte në xhep”. Tani gjërat kanë ndryshuar dhe një mashkull duhet të luftojë vazhdimisht për të mbajtur femrën që ka zgjedhur të kalojë jetën, sepse ajo mund ta lërë në çdo çast, pasi nuk është më e varur prej tij dhe fizikisht është shumë mirë, pra është akoma e kërkuar.

Është vështirësuar puna për mashkullin e shkretë, këto femrat e emancipuara paskan punë.

Si përfundim, Skifteri u sugjeron meshkujve shiptarë ta pranojnë idenë dhe të përshtaten, festa mbaroi, tani duhet të djersitim.

Falenderoni Zotin që s`jeni në Suedi, mos u qani.

Gjeniu i vogël: Femrat karrieriste janë kurva.

January 26, 2013

[Anatomi] Ciniku, ironiku dhe komplotisti

Secili e shikon botën nga pozicioni i tij, prandaj kemi po aq këndvështrime sa dhe njerëz. Megjithatë disa prej tyre i lidh një fije peri. Sot do prezantojmë koleksionin dimër-pranverë të irocinikut komplotist. Betohemi mbi kushtetutë se të gjitha që kemi paraqitur më poshtë i kemi dëgjuar më veshët tanë. Le të vijë dikush dhe ti kundërshtojë.

Gjykatësi: Dënohesh me 400 vjet heqje lirie. Ju uroj jetë të gjatë.

Dhëndri në altar: Betohem se do të të dua dhe do të të respektoj deri sa jeta të na ndajë... në mënyrë natyrale.

Njeriu homofob në kishë: o urate, të rrimë një po një jo...

Zjarrëfiksi kolegëve: Mos e fikni zjarrin. Prisni sa të ndez cigaren.

Mësuesi: Që t'i biem shkurt. Më thuaj çfarë kapitujsh ke mësuar. 1,3 dhe 5? Ok, më fol pak për kapitullin 2 dhe 4.

Një spartan duke u arratisur: po i lë 300 që të jetë shifër e rrumbullakët.

Njeriu homofob në stacionin e autobuzit: lëre të ikë ky autobuzi se qenka plot.

Njeriu homofil në stacionin e autobuzit: lëre te ikë ky autobuzi se qenka bosh.

Nxënësi: Nota 5? S'e prisja, duhet t'i bëj dhuratë dhe për 7 mars tani.

Kirurgu pasi ka hapur barkun e pacienti: Ueeee ç'u bëka ktu mo ej. Je plakur xhaxhiii.

Prifti në një funeral: Këta qajnë nga egoizmi, i ndjeri është në parajsë tani.

Ai që të kupton: Po këtë kamarier e bën part-time besoj... a jo... po shumë mirë je rehat këtu ia ke marrë dorën.

Prindi: Po s'fitoi goca ime ekonomikun ka pislliqe.

Prifti gjatë meshës: Sa e mirë kjo e rreshtit të parë.

Një tjetër spartan duke u arratisur: po i lë 299 që të hutohet armiku.

Mësuesi i klasës së parë: 2*3=7 dhe mendon "Kush është i zgjuar do e korrigjojë vetë".

Violinçelisti në koncert: Shih si bëjnë këta sikur ndjejnë muzikën klasike. Unë po ia fus kot.

Presori fiskulturës: Dje u rreshtuat nga më e gjata te më e shkurtra. Sot do rreshtoheni nga më e shëndosha te më e dobta.

Gjeniu i vogël në aeroport: Gate-i 3 është ky? Jo? U ju ***** beep *****!
   

January 25, 2013

[Survivor] Një tragjedi gjirokastrite

Kjo ngjarje është e bazuar në një histori të vërtetë. Jo, në shumë histori të vërteta. Tamam tamam kështu ka ndodhur fiks, as emrin s`po ja ndryshojmë.

Fillojmë.

Sotiri lindi dhe u rrit në një familje të shtresës së mesme në Gjirokastër. Pavarësisht se ishin katër fëmijë, Sotiri binte në sy si më i mprehti, ai e kuptonte babain që në sy, prandaj edhe familja kishte besim që ai do mbante lart flamurin e familjes, do përcillte në brezat e ardhshëm të gjitha vlerat e përthithura.

Sotiri ishte shumë i vëmëndshëm ndaj zhvillimeve të ekonomisë shtëpiake, vuri re që në shtëpinë ku u rrit nuk kishte kurrë firo, çdo gjë ricicklohej si me magji, çdo gjë mund të shërbente për diçka, prandaj gjykohej e papërgjegjshme të hidhej. Pastaj gjyshja një ditë e mori veç dhe i pëshpëriti “Lekun kurrë mos të ta hanë të tjereët” dhe Sotiri u ndriçua sic ndriçohet një mashtrues para se të fillojë një kult.

Deri në fund të gjimnazit Sotiri nuk pati probleme me paratë, sepse në Gjirokastër pas shkollës kthehej direkt në shtëpi, duke u rezistuar tundimeve për të pirë diçka me shokët e klasës, ose për ndonjë ëmbëlsirë/akullore rrugës për në shtëpi. Ja doli mbanë dhe familja ishte krenar për të, në 99% të rasteve as mbante lekë me vete, ku i dihej, po t`i humbnin? Le që po e mbajte me vete prishet ai djall…

Gjithsesi, ja doli mbanë dhe familja ishte krenare për të.

Problemet filluan kur e çuan për shkollë të lartë në Tiranë. Po, ekonomik, e gjetët. Aty midis leksioneve kishte orë të tëra boshe ku këta shokët dhe shoqet e klasës uleshin në lokal dhe pinin kafe. “Katilat e lekut” i quante Sotiri, i cili në shumë raste gjente justifikime për të mos shkuar në lokal, ndonjëherë tjetër shkonte po nuk porosiste gjë se sa kishte pirë kafe ose ishte keq nga stomaku. As i interesonte çfarë mund të mendonin të tjerët, me motto-n “po të hidhen të gjithë nga ura do hidhesh edhe ti?” mbaroi shkëlqyeshëm edhe fakultetin dhe doli në jetë.

Sotiri iu fut biznesit me një kushëririn e tij dhe u bë mjaft i suksesshëm. Shihte çdo ditë llogarinë e tij bankare dhe eksitohej, disa herë për pak kishte kaluar në orgazëm të pakontrolluar. Gjente gjithmonë dyqanet më të lira ushqimore, për rroba s`ishte kujdesur kurrë që të kujdesej tani, punonte gjithë ditën, kushëriri i tij i kishte falur një makinë për ditëlindje, por Sotiri lëvizte në këmbë, sepse shëndetit i jepte rëndësi.

Familja i sugjeroi disa vajza për martesë, nikoqire dhe nga familje të njohura në Gjirokastër, por Sotiri i refuzoi ose i shtyu këto projekte duke mos krijuar dot kurrë familje. Jo se i vinte keq në fakt, familja e tij ishte ajo shifra te banka që rritej vazhdimisht, ishte i dashuruar me atë numër. Pastaj njerëzit e kishin zili, dukeshin që në sy, kushedi sa veta do donin të ishin në vendin e tij.
Investimi më i madh që Sotiri bëri në jetë

Kështu, gjithmonë në rritje, Sotiri jetoi i lumtur dhe vdiq në moshën 72-vjeçare. Njerëzit më të afërt të tij - nuk u mor vesh pse - kishin një buzëqeshje të lehtë kur dëgjuan lajmin.

Jo, u mor vesh direkt në fakt. Pasuria u shpërnda ndërmjet tyre, të cilët si fillim i futën nga një palë pushime duke trokitur gotat në falënderim të Sotirit. Rob Zoti kishte qenë.

PS: Po, e dimë që Gjirokastra është cliché, po s`mund të gënjenim dhe të thonim që Sotiri ishte korçar.

Gjeniu i vogël sot është R. nga Kombinati: “Nuk më prish leku mua, e prish unë lekun”.

January 24, 2013

[Flora dhe Fauna] Pemët reloaded

Injoranca e ka të shkruar në ballë. Po si mund ta lexosh atë që ke të shkruar në ballë?

Që dikush është injorant mund ta kuptosh pasi ke shkëmbyer me të 2-3 opinione dhe një intelektual i mirëfilltë nuk mund të numërojë sa raste të tilla ka identifikuar vetëm javën e fundit. E megjithatë, sikur të bëhet një sondazh me pyetjen “A jeni injorant?”, pothuajse 100% të kampionëve do të përgjigjen “Jo!” edhe pse u garantohet anonimati (mbi 50% do shtonin dhe një “përkundrazi…”). Kurse, pyetjes “A mendoni se mbi 50% e popullsisë janë injorantë?” pothuajse 100% do përgjigjeshin me “Po!”.

Ju siguroj se këto rezultate kontradiktore nuk janë pasojë e mungesës së sinqeritetit. Në thelb, injoranti nuk e kupton se vetë është injornant, njëlloj si njeriu me difekt në sy, i cili që në lindje e ka parë botën bardhë e zi dhe as që e shtron problemin e ngjyrave. Me fjalë të tjera, mund të numërosh ato që di por jo ato që nuk di. Megjithatë, ekzistojnë disa mënyra të tërthorta me anë të të cilave injoranti mund të kuptojë që është injorant pa qenë nevoja t’ia thotë dikush tjetër:

- Nëse nuk ke kuptuar kontradiktën e sondazheve të paragrafit të parë ose paralelizmin me njeriun me difekt në sy, je injorant dhe s’ke nevojë të lexosh më poshtë.

- Në qoftë se ke alergji nga librat, ke qejf të lexosh dhe përton shumë, të dhemb koka para se të fillosh të lexosh, je injorant.

- Në qoftë se nuk përdor fjali nënrenditëse me lidhësat „...duke qenë se...” ose „...kështu që...” nuk i ke mirë punët pasi këto fjali nënkuptojnë që ke bërë një deduksion, domethënë që e ke vrarë mendjen.

- Dhe testi më i saktë për të dalluar injorancën vetjake është nëse di ti përgjigjesh pyetjes: „Po e zëmë se je injorant, cila do ishte rruga për të dalë nga injoranca?”.

Gjeniu i vogël: Sa i madh Kadareja. Si shkruante kundër regjimit dhe ata s'e kuptonin fare?
Skifteri sqaron: E kanë kuptuar, e kanë censuruar dhe e kanë detyruar të kërkojë falje.

January 23, 2013

[Survivor] Koritja


Duke ecur në rrugë u shkëmbeva më një familje shumë simpatike. Babi me mjekër dhe shikim të ashpër, pantallona që i nxirrnin kaviljen në pah, çuni i vogël sa gjysma e babit po me të njëjtin shikim dhe pantallona. Mami…gjithçka që mund të thoje ishte që mbante syve, përveç kësaj ishte një korb gjigand, një leckë e zezë që ecte.

Deri këtu gjithçka në rregull, para se të keqkuptohemi.

Por kishin edhe nje gocë. Jo më shumë se 12-13 vjeç, e mbuluar njëlloj si mami.
Një fëmijë që nuk nxjerr kyçet e duarve, kaviljen, fytyrën, qafën…sepse ndjell epsh te meshkujt. E mësojnë që të vogël të jetë e nënshtruar, të jetë thjesht një gjë që lëviz me dy sy, pa individualitet, thuajse pa të drejta, pa i lënë pikë mundësie të zgjedhë vetë.

Babai - ruan vlerat që nga pushtimi turk
Jeta është e shenjuar që në lindje, do jetë një myslimane e devotshme kokëulur, që të nderojë familjen. Kështu edhe për një familje katolike, tamam tamam kështu edhe për një familje thjesht fanatike, që të mos ndalemi vetëm te feja.

Dhe ja ku vijmë te ideja kryesore:

Gjithë ky koncepti idiot i nderit vjen nga një egoizëm i shfrenuar i prindit, pa patur parasysh për asnjë moment lumturinë e fëmijës. Këta, si edhe kafshët e tjera që dëgjojmë vazhdimisht tek vrasin fëmijën e tyre sepse ka humbur virgjërinë jashtë martese ose është kthyer në shtëpi pas një nate jashtë, janë qeniet më të ulëta që mund të ekzistojnë.

Rëndësi për ta ka të jenë vetë mirë, të ndihen të pranuar nga komuniteti, të dalin kryelartë jashtë, kush është fëmija që t`ua prishë këtë atmosferë idile?

Asgjë për fëmijën, vetëm dhe thjesht egoizëm. Çik të të cënohet rehatia dhe koncepti yt – idiot, e përsërisim – i nderit, fëmija le të zhduket.

Tani zhvendosemi pak.

Si mund ta indoktrinosh fëmijën që kur fillon të kuptojë me fenë tënde? Në qoftë se që 3 vjeç e çon në kishë dhe e tmerron me hakmarrjen e Zotit po s`u soll mirë, ku është zgjedhja e lirë këtu? Ka gjë më të padrejtë se t`i shpëlash trurin fëmijës tënd pa i lënë mundësi të rritet dhe të vendosë vetë?
Trasmetimi i vlerave brez pas brezi

E keni vënë re si trashëgohet feja? Pse kjo qenka ideja e Zotit, të ta rrënjosin që fëmijë, ndryshe s`bëhet?

Si thuajse çdo gjë tjetër, ka një shpjegim edhe për këtë. Këta prindër e dinë shumë mirë që po t`ja lënë zgjedhjes së lirë, fenë e merr lumi. Një 18-vjeçar rrallë vendos të bëhet besimtar, çka do ishte vërtet një zgjedhje e lirë. Njëlloj si prindërit që duan ta bëjnë fëmijën futbollist, aktor, doktor sepse kanë dashur vetë po s`ja kanë arritur. Madje jemi që jemi, të shtojmë edhe trasmetimin e partisë brez pas brezi, që 4 vjeç je o socialist o demokrat, s`ke si ta ndryshosh më. Ky fat të ka rënë.

Të gjitha këto sepse prindi e trajton fëmijën si veshje; do të mburret me të, jo ta ketë pis ose të grisur. Po ajo dashuria e famshme prindërore?

Egoizmi. Karakteristika që e çon njerëzimin përpara.

Gjeniu i vogël: S`kam gjo me ju homot, por po tdilte gay fmija im do i fusja plumbin mlule tballit.

January 22, 2013

[Skifteri edukon] Muri i madh

Art art art. Në Triennale-n e Milanos artistë nga e gjithë bota mblidhen të mburren me veprat e tyre. Dhe kanë me se. Nuk duhet të jesh artist që t'i çmosh. Kush ka patur rrugë nga Design Museum, mund të kenë qenë 10 eurot që keni shpenzuar më mirë, pavarësisht se hyrja te Lollipop është më e lirë.

Tani, në gjithë këtë galeri ra në sy vepra e Jamie McCartney "The Great Wall of Vagina". Nuk ka si mos të të bjerë në sy sepse është sa një faqe muri. 400 shembuj të ndryshëm të skulptuar e të ekspozuar në 10 panele të ndryshme. Në një farë mënyre (po vetëm në një mënyrë), ngjan me Marilyn Monroe Diptych e Andy Warhol. Për detaje se si është realizuar dhe se si është vlerësuar: http://www.greatwallofvagina.co.uk.  Me sa duket, paska ndër të tjera edhe karakter edukativ dhe shkencor.

Kur para disa vitesh në bienalen e Tiranës (çfarë krahasimi do thotë dikush...), pashë vepra të ngjashme, i shpreha perpleksitetin tim nje mikut tim artist. Ai më sqaroi se çdo formë e të shprehurit që të shkakton emocion ose të fut në mendime është art. Arti duhet të provokojë, të jetë gjithmonë një hap para dhe Jamie i plotëson të gjitha këto. Duke parë "The Great Wall of Vagina" një mendim më erdhi në fakt. Të skulptosh vetëm një me detaje është si të skulptosh një labirint, po katërqind? Përvec talentit Jamie paska të paktën dhe super durim.

Pastaj mora vesh (ose më bënë me dije si thuhet nga 2005 e këtej) se për veprën në fjalë kanë pozuar 400 zonjusha, të cilave u është marrë negativi.

Çfarë zhgënjimi…Jamie nuk qenka ai njohës i thellë që imagjinoja. Dhe të mendosh që e futa në garë me ikonën, profetin, idhullin e pakontestueshëm, Hugh Hefner.

I dashur Jamie, herën tjetër të pres me një punë më origjinale. S'është e thënë të jetë forma fiks, ca forma mund t'i shpikësh dhe vetë. S'duhet të jetë e vështirë. Pastaj, Jamie Jamie…as 400 nuk gjete dot, t`u desh t`i paguaje. Skifteri do të t`i kishte dhënë hua nga të vetat, mjaftonte një telefon. Në emër të artit.

Gjeniu i vogël: Një mendim nga një bashkëbisedues kur i fola për Jamie-n: "Te kto 400 do ket fut edhe plakën dhe motrën ky, se kta artistët jan tdegjenerum."

January 21, 2013

[Intervistë] At the Masculin's Plane

Skifteri arriti të sigurojë një intervistë me aktorin e njohur Nicolas Cage. Për këtë, ai vendosi të merrte me qera gazetarin më të mirë që ofronte tregu shqiptar. Njëri shkëlqente, thjesht i eklipsonte të tjerët.
Drini Zeko pa asnjë hezitim.

Drini - Përshëndetje.
Nicolas - Përshëndetje.
....
(pas dy minutash)
Nicolas - Do bësh ndonjë pyetje apo...
Drini - Më falni, më falni. Po më hutuat fare. Hera e parë që rri para një divi (Drini shkundet dhe përmblidhet). Atëhere... Imzot...
Nicolas (e ndërpret, buzëqesh) - Po pse imzot?
Drini (skuqet) - Po se...ngaqë jam mësuar me Arditin...
Nicolas - Më thirr Niko.
Drini - Atëherë, Niko. Ju tanimë keni hyrë në kinematografinë shqiptare, madje madje në Kinostudion Shqipëria Re. Si nisi e gjithë kjo?
Nicolas (ngre sytë mendueshëm)- Një ditë Mevlani (Shanaj, shënim i Drinit) më mori në telefon, më tha që nuk fliste dot gjatë aty dhe më sugjeroi të kalonim në Viber. Aty më tregoi për këtë projekt gjigand.
Drini - E dinit rëndësinë historike të personazhit që keni interpretuar?
Nicolas - Të them të drejtën, jo. Por në atë periudhë nuk po punoja në asnjë projekt kështu që thashë me vete "katër ditë në Shqipëri, s'do jenë ndonjë tmerr i madh". Pastaj emri Çerçiz ishte intrigues. Kisha 14 orë fluturim, kështu që koha për ta lexuar skenarin ishte e mjaftueshme.
Drini - Te ky film nuk patët një Angelina Jolie përkrah...
Nicolas - Nuk mund të them se qëndrimi mes një grushti burrash më entuziazmoi. Në Shtetet e Bashkuara, në kësi filmash shpiket një personazh femër e cila të përkrahë heroin kryesor dhe indirekt kauzën. Me sa duket burrat shqiptarë duan t'i marrin meritat vetë.
Drini (duke përplasur duart)- Hahaha. Ju nuk pranuat që skena e rrethimit të xhirohej në Mashkullorë. Përse?
Nicolas - Mashkullor, është një fjalë që më intimidon, sidomos kur mora vesh që në atë skenë do kishte vetëm burra. 100 burra. Atëherë me regjizorin vendosëm ta xhironim diku tjetër. I vetmi fshat që i ngjante Mashkullorës për nga struktura ishte Lazarati. Madje unë do shtoja se dhe mënyra si mbrohej i ngjante shumë skenës sonë.
Drini (rrëzohet nga karrigia, klith, shkundet dhe ulet në divan ngaqë nuk i zë më besë karriges) - Hahaha. Në këtë skenë bie dëshmor, për fat të keq, Hajredini...
Nicolas - Çdo luftë ka sakrifica dhe Hajredini ra si hero. Më vjen keq si për të ashtu dhe për Tim Roth, aktorin që e interpretoi. Tim ishte një humbje e madhe për ne, por aksidentet në punë ndodhin, pavarësisht se me vendosjen e skelës ishin bërë gabime.
Çerçizi

Drini – Flasim për gjëra më të gëzueshme. Sa Çerçiz është Nicolas në jetën reale.
Nicolas - Jam më shumë një Mihal Grameno në fakt…vetëm se kam më shumë vesh muzike se ai.
Drini (bie edhe nga divani) - Hahaha. Një nga skenat më të rëndësishme është dhe vrasja e Bimbashit...
Nicolas - Tek ajo skenë kisha emocione me të vërtetë. I thashë dhe Timit, duhet ta vrasim shpejt. Nëse Sean Connery (aktori që luan Bimbashin) do të nxehej mund të na vriste të dyve.
Drini - Hahaha. Kush e luan më mirë Çerçizin, ju apo Timo Flloko.
Nicolas - Timo flet më bukur pasi e di dhe shqipen e flet më mirë se unë, por unë luftoj më mirë. Them se në përgjithësi kam kontribuar më shumë se ai në shpalljen e pavarësisë.
Drini - Çfarë përshtypjesh keni për Shqipërinë në përgjithësi?
Nicolas (hap smartphone-in, dhe pas dy minutash përgjigjet) - Për Shqipërinë mund të them...2.8 milionë banorë...28,748 km2...motto "Ti Shqipëri më jep nder...”... calling code 355... dhe vend shumë shumë i bukur.
Drini - Cila këngëtare shqiptare ju pëlqen më shumë?
Nicolas - Nuk njoh shumë këngëtare shqiptare dhe kjo e ngushton shumë zgjedhjen time. Do të veçoja Eli Farën, mbase ngaqë kemi dhe moshë të përafërt.
Drini – Si mësuat shqip?
Nicolas – Nuk di shqip, prandaj kemi marrë përkthyes. Skenarin e mësova përmendësh.
Drini – Kalojmë te një pyetje pak pikante…
Nicolas - Ju më njihni mirë. Unë kurrë nuk do tu bëja bisht këtyre pyetjeve. Por në rastin tuaj, me këtë shumë qesharake ju nuk mund t'ia lejoni vetes pyetjet provokuese.
Drini - Po shqiptarët si ju duken si njerëz?
Nicolas - Po mirë mirë, me ato të vetat, po... (buzëqesh).
Drini - Keni dëgjuar për diskriminimin e tmerrshëm që i bëhet komunitetit LGBT?
Nicolas - Jo, pse si është puna?
Drini - Po ja për shembull, ne... Domethënë një shoku im që është gay, është persekutuar në mënyrë të vazhdueshme. Imagjino që i duhet të maskohet si çun straight.
Një nga kushtet që Drini i vuri Skifterit për këte intervistë ishte blerja e kësaj bluze
Nicolas - Më vjen keq. Mevlani nuk më ka folur gjë. Por ne kemi lindur të gjithë njëlloj, pavarësisht ngjyrës së lëkurës ose zakoneve, të cilat duhen respektuar, pa futur hundët te njëri-tjetri. Po nejse, kjo nuk ka lidhje me filmin.
Drini (gëlltitet)- Po mirë, ky shoku im si mund të marrë vizë për në Shtetet e Bashkuara, ose Green Card, sepse këtu situata është bërë e papërballueshme. Nuk po i lënë fare...
Nicolas (i hutuar)- Nuk e di.
Drini - Po jo, e di pse po them? Ky shoku im do ishte i gatshëm t'ju ofronte gjithë kursimet e tij, 8000... plus rroga e dhjetorit, plus shërbimet...domethënë shpërblimet...ja 10 000 dollarë që ju të martoheni me të sa të shkelë vizën dhe pastaj ndaheni me konsensus po të jetë e nevojshme.
Nicolas - Unë nuk merrem me këto.
Drini (duke ngrysur vetullat) - Si the? Domethënë dhe ti na përbuzke o Nicolas? U shoftë fara jote! Tani po e shoh unë, që paske një dell shqiptari! Qënke dhe ti një Murat Pasha! Jashtë nga studio ime! Jashtë!
Nicolas - Tamam tamam, është zyra ime, kështu që...
Drini - Edhe ashtu e bëjmë, mos ki merak! Do flasim ndryshe bashkë!

Drini rrëzohet nga divani. Ngrihet, shkundet, merr një stilolaps për suvenir dhe përplas derën. Pastaj kthehet se kishte harruar bllokun e shënimeve dhe ikën përgjithmonë...

Që nga ajo ditë, Drini Zeko është zhdukur bashkë me 80% të shumës që Skifteri kishte alokuar për intervistën. Është parë vetëm një herë në katin e dytë të vilës së një stilisti të njohur kalifornian.

January 20, 2013

[Free Styler] E shtata ditë


Nesër, ora 09:00 intervista ekskluzive me Nicolas Cage!

...................................................................................................................................

Përshëndetje të gjithë lexuesve,

Skifteri sot ndodhet në Kamchatka dhe nuk mund të postojë, por ju uron një të diel të shpejtë.

Sekretari i Përgjithshëm i blogut Skifteri

January 19, 2013

[Flora dhe Fauna] Gomerët

Skifteri zbulon: ylli i kinemasë quhet Nicolas Cage.
Ditën e hënë, ora 09:00 intervista ekskluzive, një sukses i gazetarisë shqiptare për tu treguar brez pas brezi.

 .............................................................................................................

Të gjithë e dimë se reklama është shpirti i tregtisë po disa reklama janë thjesht idiote. Skifteri uron që të zhduken sa më shpejt, për të mirën e tyre, reklamat e mëposhtme:

1. "Detergjenti normal nuk i pastron njollat (ca njolla sikur ke qenë në Irak). Detergjenti Dixan i pastron me formulën e tij triple action: lokalizim, zbërthim dhe degjenerim njolle". Ekrani ndahet në dysh. Majtas kemi një paçavure kurse djathtas shpëtimtari i njerëzimit. Tani, kush është ky detergjenti normal, sepse të gjithë ata që janë në treg dalin në TV me të njëjtën reklamë? Pastaj ky normali, pse vazhdon të jetë në treg derisa u bënë 20 vjet që s'ka pastruar një njollë?

2. "Pastërti dhe freski ajo është Carefree". Tani, ekrani e di vetë, ndahet në dysh. Majtas e dimë, tamponi facolet, kurse djathtas tamponi kampion alias Tampioni®. Një pyetje retorike që Skifterit i vjen natyrshëm. Pse lëngu është blu? Dhe pse e hedhin me kanë? Dhe pse në fund është njëra me pantallona të bardha që ose kërcen në ajër ose bën zigzage me biçikletë?

3. Teleshopping Dormeo, dysheku më rezistent në botë. Shfaqen në TV teste nga jeta e përditshme e çdo dysheku si: i kalon fuoristrada sipër, e hedhin nga kati i dytë, dy veta zbrazin 6 karikatorë me kallashnikov, e fut në det, e hedh në një vullkan aktiv, i bëjnë magji, e hanë me sy, e shohin shtrembër, i fusin thikën, e fusin në një dhomë me muzikë të lartë për teste akustike. Rezultati: forma e paprekur, asnjë gërvishtje, madje rigjenerohet, nuk laget, nuk nxihet, nuk e kap syri i keq, etj. Dhe sa do ishte gati populli të paguante për këtë mrekulli?

Majlinda konviktore - Vallahi, 1500 euro ia vlen, si dyshek.

Haliti pensionist - 3 vjet pension dhe 20 ditë nga ditët tona.

Trifoni shoku Halitit - 30 ditë dhe një vit pensionin e plakës.

Monda agjente shitjesh në Carrefour TEG - Me Dormeon çohem që në pesë gjeth. Edhe klientët nuk më shajnë më.

Mevlan Shanaj - Të gjithë e aktorët e kinostudios dhe të Albafilmit do flenë në Dormeo.

Grupi Burn - Që kur vdiq Renisi, nuk kemi vënë gjumë në sy. Dysheku normal nuk na boni fajde lale, unë kam fjetur mbi bateri. Të shohim Dormeon, 2000 euro i ka hallal.

Lewis Carroll - Fucking awesome.

Por në fakt ky dyshek fantastik kushton vetëm 1299 euro.

Ky ilaç është aq çudibërës saqë kanë gjetur dy persona të ndryshëm për ilustrim.

4. "Adriatica, kompania e parë detare në Shqipëri". Në sfond kënga "My heart will go on".

5. Teleshopping tiganësh. Një grua ka 11 orë duke kruar tiganin. Një zë burri: "Nuk të kruhet tigani? Me tiganin e ri Dry Cooker ushqimi nuk ngjitet edhe sikur t'i hedhësh vinovil". Dhe i hedh vinovil dhe tre vezë. E pabesueshme. Ekrani e di vetë çfarë duhet të bëjë, por kësaj radhe figura majtas është skandaloze. Filmim bardhë e zi, gruaja e veshur keq, fytyrë e trishtuar. Djathtas, çelin lulet, plasin ngjyrat, shpërthen lumturia. Tani, çfarë hanë këta njerëz që i kanë kaq pis tiganët? Ç'kërkon ky burri te shtëpia e kësaj gruas? Nga hyri? Si hyri? Pse nuk trembet gruaja kur sheh një të panjohur në shtëpi?
Skifteri e ka një version për këtë gruan, por preferon ta mbajë për vete...

6. Një foto në sfond me një palë dhëmbë të përpunuar në Photoshop. Në sfond kënga Titanium dhe një zë i ëmbël femre që lexon çfarë shkruhet në ekran: "Klinika dentare Julpjer. Nga e hëna deri të shtunën, nga ora 07:00 deri në orën 19:00. Pastërti. Higjenë. Instrumenta të sterilizuar. Karrike mobile. Pambuk njëpërdorimsh. Amalgam gjerman. Drita 24h. Luçidim protezash falas për pensionistët çdo mëngjes 07:00 - 09:00. Doktor italjan." Ky doktori italian sa pabuks duhet të jetë që të vijë të punojë në Shqipëri? Pastaj, mjafton pasaportë italiane dhe je doktor i mirë?

7. Universiteti UFO. Kristal. I New York-ut. Justiniani i parë. Marin Barleti. Vëllezërit Luarasi. Motrat Qirjazi. Motrat Luarasi. Vëllezërit Kajtazi. Vëllezërit Bylykbashi. Shkolla Wilson another brick in the wall. Shkolla Njuton. Aldent. Medikadent. Mentadent. 100 Vitrinat. Europian i Tiranës. Mesdhetar i Tiranës. I Ballkanit jugperëndimor. I Ilirisë. Amerikan i Shqipërisë së mesme. Bukuroshja e Durrësit University. Tabakëve Bridge College.

Gjeniu i vogël: Ai tipi që ka bërë reklamën e Adriatica-s.


Për atë që gjen pse mund të quhet një universitet "UFO" Skifteri ka një çmim surprizë, siç fitoi dhe Anonymous nga Lushnja para dy ditësh.
Anonymous nga Lushnja - "Shkërdhatë nacionaliste e kisha diskutuar dhe me shokët, po s'ma pristje mendja kurrë që mund të fitoja çmim me të. Zoti e bekoftë Skifterin. iPad-in do ia jap djalit, gjethen e dafinës si simbol i fitores do e mbaj kujtim, kurse çorapet me rrinë të mëdha kështu që i mori gruaja."

January 18, 2013

[Survivor] Vox populi


Skifteri zbulon; ylli i kinemasë quhet Nicolas Cage. 
Ditën e hënë, ora 09:00 intervista ekskluzive, një sukses i gazetarisë shqiptare për t`u treguar brez pas brezi.

....................................................................................................................

Kjo ngjarje është bazuar në një histori të vërtetë.

Karimi 25-vjeçar shikonte në mënyrë obsesive lajmet në internet për revolucionin në Tunizi. Mendonte:
“Kur u bënë këta plehrat të ngrenë krye…ne rrimë durojmë Mubarakun, popull i korruptuar dhe pasiv, na rroftë historia”.

Karimi ishte një i ri idealist i shkolluar me bindje të majta, ëndërronte një Egjipt me barazi sociale, me dinjitet dhe jo të përkulur 90 gradë ndaj SHBA, një regjim të zgjedhur dhe të mbështetur nga populli, liri shtypi, një vend demokratik ku të drejtat e njeriut të respektoheshin dhe ekonomi në linjë me resurset e vendit.
Kur pa edhe dorëheqjen dhe arratisjen e diktatorit Ben Ali nga Tunizia u irritua edhe më shumë. Po Egjipti i tij i dashur?

Nuk do vononte. 

Në 25 janar 2011, Egjipti fillon protestën. Karimi ishte në radhët e para, ulëriti sa s`kishte më zë, duroi shkopa gome, dëgjoi qindra plumba që i fishkëllyen afër. Nuk kishte rëndësi, ai e ndiente që kishte më në fund dritë në fund të tunelit. Kjo ishte një protestë ndryshe nga çdo gjë tjetër, nuk kishte organizator kryesor, as agjitacion të përgatitur nga forca të errëta që bluajnë si minj nën dërrasa, as ndërhyrje të shërbimeve sekrete të huaja, ky ishte revolucioni i popullit të tij, popullit egjiptian, prandaj asgjë nuk mund t`i ndalte.

Ndihej krenar për Egjiptin, një shembull për të gjithë popujt e shtypur nëpër botë, do hynte në librat e historisë si një mësim për çdo tiran; po dole kundër vullnetit të popullit nuk e ke të gjatë. As në ëndrrat e tij më të çmendura s`mund ta kishte imagjinuar këtë. Ishte i lumtur.

Pas shumë plumbash, gazi lotsjellës, dhe mbi 800 të vrarë nga banda kriminale të paguara nga qeveria dhe policia sekrete, Mubaraku rrëzohet. Karimi nuk ishte ndarë thuajse për asnjë moment nga sheshi Tahrir, ishte edhe ai një pjesë e një momenti historik. 


Karimi duke folur me disa protestues, majtas lart
Orgazma e Karimit do vazhdonte për disa muaj. Një regjim ushtarak provizor ngriu kushtetutën dhe përgatiti vendin për zgjedhje. Zgjedhje të lira, ëndrra në sirtar e Karimit. Le të vendosë populli, të vendosë shumica, më në fund…

Zgjedhjet mbahen, fiton Vëllazëria Myslimane. 

Çuni që udhëheq këta tipat pa humbur kohë i jep vetes fuqi të pakufizuara “për të mbrojtur vendin”, dënon kë të dojë për arsyet që vendos ai, fillon ta kthejë vendin në një republikë islamike. Shkurt, Egjipti drejt mesjetës.

Mubaraku ishte pishtar i demokracisë para këtij.

Ëndrra për një Egjipt demokratik, modern dhe të zhvilluar vdiq pa filluar. Shumica kishte patur një ëndërr të ndryshme nga Karimi, por atij s`i kishin thënë gjë. Për shumicën rëndësi kishte të mos i bindeshin Amerikës dhe ta rrënjosnin Islamin thellë në kushtetutë, këto detajet si të drejtat e njeriut, ekonomia, respektimi i mendimit të lirë…kush ka nevojë për këto?

Karimi vodhi gurin e mullirit të gjyshit, e lidhi fort me litar në qafë dhe u hodh në lumin më të afërt pasi u sigurua që ishte thellë. 

Karim Karim…kot ka thënë Skifteri që kjo shumica seç ka diçka që s`shkon?


Kërkimet për gurin e mullirit
Ky post u dedikohet të gjithë atyre që vijnë dhe mbrojnë një argument me “Ua, po këtë e thonë të gjithë, nga dole ti ndryshe”. 

From Skifteri with love.

Gjeniu i vogël: Toka është 6.000 vjeç (cit. Bibla)