Këto po mendonte në orën dy të natës Rita ndërsa kënga po jepej në televizor. Uli sytë te filxhani i kafesë dhe buzëqeshi hidhur. Ky shejtan nuk më thotë më shumë se sa di vetë. Kishte kohë që ishte bindur për këtë.
Rita kishte mbaruar për anglisht, por ëndrra e saj ishte të bëhej gazetare, madje reportere. Nuk i pëlqente politika, ose tema të tjera në veçanti. Asaj i pëlqente ta merrte vesh lajmin e para dhe pastaj ta transmetonte sa ishte akoma i "nxehtë". S'kishte lumturi më të madhe se sa fytyrat e shqyera nga habia të njerëzve. "Vërtet? Si ka mundësi? Kush e tha? Rita". Lajmi më parë kalon nga unë ishte një shaka që Rita e thoshte shpesh kur ishte studente. Sot dikush ia kishte marrë sloganin dhe ia kishte shitur një televizioni.
Ndonëse nuk e kishte ushtruar si profesion, Rita dinte më shumë se një reporter për qytetin e saj provincial. Që herët kishte shpikur metoda origjinale për të futur hundët në jetën e të tjerëve. Shëmbujt e përgjimeve numëronin nga më të pafajshëmit deri te më diabolikët. Kur i vëllai ishte nisur për muaj mjalti, kishte plasur nga kurioziteti se si po shkonte me nusen. Kishte marrë telefonin, i kishte rënë nuses së vëllait dhe e kishte lënë mbi televizor. Kur ajo u përgjigj, Rita fliste nga aneksi kinse po i bërtiste të birit: "Denis ma ke parë gjë telefonin? Se mos po luan me të? Prapë po u bie numrave kot? Na grive nga lekët. Hë Elsa, se s'i rrinë duart Denisit. Ee ee, po nejse, si po ia kaloni ju andej? Mirë si javë e parë?". Dhe kështu e kishte zhbiruar dhe kishte njoftuar e para në fis.
![]() |
Rita në fillimet e saj |
Kur Reporters Without Borders shpallnin të dalluarit e vitit, Rita i ndiqte me një farë zilie. Fundja dhe ajo kishte sakrifikuar për kauzën. Një herë aq shumë ishte varur në ballkon që të përgjonte komshijet që flisnin te cepi i pallatit sa kishte rënë. Dy fraktura dhe njw ndrydhje. Sa të ulëta që i bënin dhe këto parvazet! Mirë që jetonin në kat të dytë.
Ora ishte 2:30 AM dhe Rita ishte në "orar të punës". Dritën e kishte fikur me kohë dhe po kuptonte se sot ishte një natë e pazakontë. Diçka e paprecedent po ndodhte...
Kishte shpikur një metodë krejt të sajën për të mësuar për fqinjët. Ndërsa, shoqet e saj thashethemaxhije i nxirrnin me grep fjalët nga komshijet, Rita shikonte cilat drita ndizeshin natën në pallatin përballë. Pallati i saj kishte formë L-je, gjë që i jepte mundësinë të mbikëqyrte dhe gjysmën e tij.
Për herë të parë, kjo kishte ndodhur rastësisht. Ishte ngritur natën për të pirë ujë, kur kishte parë ndezur dritën e dhomës së gjumit të Sofisë dhe të Alekos. Po të mos kishin gjumë mesiguri do kalonin nga kuzhina. Mos po e bëjnë me dritë ndezur? Jo, jo, s'është nga ata Aleko. Kanë një hall dhe po e pleqësojnë. Të nesërmen duke i parë Sofisë filxhanin e kafesë ia kishte lëshuar shigjetën: "Ke një hall, po më parë duhet të biesh në një mendje me Alekon". Sofia qe dridhur.
![]() |
Vajzat e Ritës |
Ditë më pas ishte specializuar në interpretime dritash. Kur një natë kishte parë të ndezur dhe dritën e kuzhinës dhe dritën e dhomës te shtëpia e Sofisë, gjithçka ishte bërë e qartë. Po grinden. Secili është në dhomë më vetë dhe s'duan të flasin. Bisedat e filxhanit kishin konfirmuar gjithçka.
Më pas kishte lajme nga çdo shtëpi. Rezarta, ajo beqarja e frëngjishtes sillte rregullisht një dashnor në shtëpi. E kishte kuptuar nga hija që çifti linte te perdet. Më vonë kishte kuptuar kush ishte dhe dashnori, Artani i katit të katërt. Ishte shumë e lehtë. Nga ora 1 ndizej drita në kat të katërt, pas një minute fikej. Pas 30 sekonda ndizej drita e Rezartës, 2 hije mbi perde dhe drita fikej.
Sot po ndodhte diçka interesante në faqen tjetër të L-së të pallatit të saj. Dikush, i paskësh marrë apartamentet me radhë. Ishte e njëjta siluetë mashkulli të cilën e kishte parë në dy apartamente të ndryshme. Dy dashnore në të njëjtin pallat, në të njëjtën natë...
Që Rezarta ishte kurvë s'kishte pikë dyshimi. Herë pas here ndizej dhe drita e katit të pestë, pas 30 sekondash drita e Rezartës, hijet, errësira. Tani nga fundi ndizeshin në një kohë dritat e katit të katërt dhe të pestë, pas 30 sekondash drita e Rezartës, 3 hije mbi perde, errësira. Madje njëherë kishte parë 3 drita, 4 hije...
Dashnori misterioz ishte tek dashnorja e katërt dhe kishte me shumë se 40 minuta që dritat nuk ishin ndezur. Dashnorja e tretë kishte qenë Rezarta, normale. Hallall, tha Rita me vete këtij i them mashkull unë. Nuk kishte parë të hynte njeri në pallat, kështu që mashkulli misterioz duhet të ishte i lagjes. Ndërkohë drita nga dashnorja e katërt u ndez. Zemra e Ritës filloi të rrihte fort. Do mbyllej me kaq apo do kishte dhe një të pestë. Ndërkohë Rita ndjeu derën e apartamentit të saj të hapej me ngadalë dhe pa të shoqin i cili po hynte vjedhurazi. "Petri po ti?", pyeti Rita tërë frikë, ngaqë nuk e kishte parë të dilte. "Ja dola për të pirë një cigare". Filxhani ra nga dora e Ritës dhe u thye në një mijë copa.
![]() |
"E more vesh për burrin e Ritës mi?" |
Gjeniu i vogël: What goes around comes around (jo si shprehje, por si këngë).