December 31, 2012

[New Year Special Edition] LET THERE BE PARTY

Miliona lexues (që do ishin miliarda sikur e gjithë bota të fliste shqip), siç mund ta kenë vënë re më sypetritët është dita e fundit e vitit 2012, në darkë vjen nata e ndërrimit të viteve, kurse nesër në mëngjes është dita e parë e vitit 2013. Me këtë rast Skifteri dëshiron t'ju urojë, por përpara se t'ju urojë po ju lexon disa nga urimet që ai ka marrë për vitin e ri. Duke mos dashur të bëjë dallime mes lexuesve, letrat fituese janë zgjedhur në mënyrë krejt rastësore. Pa humbur kohë:

"Skifter, mbrëmë të kam menduar gjithë...".

Një sekondë se këto s'qenkan urimet... Ja ku janë:

"I dashur Skifter, i lexoj artikujt e tu me interes të gjallë. Ku paskam qenë më parë, ose e thënë ndryshe, ku paske qenë ti më parë. Ti gjithmonë vë në dukje defektet dhe anën pozitive të njërëzve duke ndërthurur pozitiven me negativen ose anasjelltas. Kështu kam arritur të njoh më mirë shoqet dhe burrin. Të uroj një vit të ri 2013 të begatë!"
                            A. nga Korça
Fragment nga turma që priti urimin e Skifterit

"I nderuar Skifter, të uroj nga zemra Vitin e Ri 2013 si dhe Krishtlindjet në qoftë se je i krishterë, megjithëse kaluan. Jemi argëtuar shumë këtë muaj dhe kemi qeshur goxha me shkrimet e tua. Më pëlqen që nuk i shikon gjërat bardhë e zi, por gri. Do Zoti, njerëzit ndryshojnë mentalitetin dhe zgjedhjet e 2013-ës t'i fitojë P*-ja!"
                            I. nga Tirana

"I dashur Skifter, na ke nxjerrë mallin e Shqipërisë. Të lutem shkruaj dhe në anglisht që t'ua tregoj dhe shoqeve. Të uroj gëzuar 2013-ën!"
                            L. nga Amerika

"Skifter, që kur kam filluar të të lexoj kam rralluar skedinat dhe konjakun, më ke ndryshuar jetën".
                            L.B. Romanat

"Skifter, falemnderit që ekziston, këto 4 vjet me ty kanë qenë të mrekulleshme".
                            A. Selanik

"Skifter, pse je ti Skifter".
                            H.M Rio Ave

Për të arritur te qershia mbi tortë, letra e urimit dhe e falenderimit për Skifterin nga një ndër miqtë tanë më të mirë, MENDJEMPREHTËSIA E TIJ kryetari i bashkisë Mzuzu (Malawi). Ju sugjerojmë ta lexoni me zë sepse ndryshe vështirë se kuptohet:
Emblema e Mzuzu-t

"I dazhur Zgivder! Galoi dhe nje vid dhe ja gu gjydedi i Mzuzu-d dë gujdon bër vezdad e vund dhe villim vidid (E di e di gjë ne vezdojmë dhe ringjalljen e Musafës). Bara dre didësh vezduam dhe 50-vjedorin e bavarëzizë e xila u zhball në gjydedin donë dhe bër dë xilën ju dhadë një gondribud dë bamohuezhëm. 

Në emër dë banorëve dë valenderoj dhe bër vebrat e dua bujare. Mjavdon dë bërmend zbidalin gjë ndërdove i xili zod zdrehon më zhumë ze dy mijë baxiendë dhe 1000 dë bazdrehë e gjë zod mban emrin "Zgivderi Mzuzu Hospital". 

Ju valenderojmë gjidhazhdu bër hidroxendralin mbi lumin Chakhala i zi dhe bër rrugën e gombid gjë lidh Mzuzun me Mzimbën. Aznjëherë valenderimed dona nug do jenë dë mjavduezhme azhdu zi nuk mjavdon vigura e Zgivderid në emblemën e gjydedid donë. Gemi zhduar në zdemë vjalëd dazhuri dhe beznigëri azhdu zi zugjeruad ju në vjalimin e bavarëzizë dë vidid 1962. 

Ju urojmë nga zëmbra gëzuar vidin e ri me mish e me ragi!

B.Z. Kapusa gjë e le dë vogël dani ga blerë një vargë dhe ëshdë bërë bezhgadar, zixh e barazhigove di.

B.B.Z. Gërgoj ndjezë bër zhgjiben dime dë xhalë, megjidhëze gam marrë vezh gjë ga zhgjibdarë gjë e vlazin më gegj ze unë. Hahaha. Izhde një zhaga.

                            I ydi,
                            Cristopher Ngwira
                            Mzuzu, më 31.12.2012"

Ja pra, që ajo që dukej e pamundur po bëhet realitet. Skifteri po depërton thellë e më thellë në jetën e njerëzve, ndonëse nuk është ky qëllimi i blogut. Megjithëse njerëz shumë të urtë mendojnë se çdo fjalë që mbaron me "-izm" bie ndesh me natyrën e njeriut, le të jetë skifterizmi sjellja natyrale e njerëzve që thonë atë që mendojnë dhe që mendojnë vetë. Skifteri ju fton në vitin 2013, në të cilin numri i komentuesve në ditë do arrijë në një mijë, të thoni mendimin ashtu si ju vjen në mendje pa pasur frikë se mund të paragjykoheni. Vetëm kështu mund të bëheni një shembull për tu ndjekur ose për të mos u ndjekur nga të tjerët.

Skifteri u uron të gjithë lexuesve një 2013 spektakolar. Një korrigjim: Skifteri URDHËRON një 2013 spektakolar për ndjekësit!

Gjeniu i vogël: Një urim i veçantë vjen nga Landi me e-mail:
Skiftero t lutem publikoje urimin tim se vje nga zemra. I vit i mare per tgjith shqiptaret kudo qe ndodhen, jo, jo kudo, vetem kta qe jan ktu se ata jasht e kan mterezi, nejse nfakt urime vetem tironcave, dhe jo tgjithve, por cunave te rruges Kavajes, tamom tamom nga Samsungu e poshte, pervec atyre shokeve te Gimit qe kam bo llafe. Urime!

December 30, 2012

[Free Styler] Customer Service

Skifteri jo më kot ka fituar qindra çmime për përkujdesjen ndaj lexuesve të tij. Sot do bisedojmë tête-à-tête me lexuesin për t'i dhënë ca këshilla që ti ketë në xhep gjithë jetën.

Në këtë mënyrë Skifteri do ketë lexues jetëgjatë. Siç e shihni, për marketing Skifteri ka shok veten.

3, 2, 1, start!

- Mos e lër cigaren pa u zbatuar ligji antiduhan.

- Mos shiko emisione televizive që fillojnë në agim dhe mbarojnë në muzg. Për më tepër të dielën.

- Mund t'i shohësh në qoftë se do të lësh cigaren. Edhe pse Skifteri mendon që cigarja dëmton më pak se këto.

- Mos bli kurrë çadër, shko në pub dhe zgjidhe vetë. Tani për festa me shumë mundësi kanë sjellë edhe nga jashtë mall të mirë.

- Të dielën zgjohu sa më vonë dhe fli sa më herët. E diela nuk meriton ta respektosh. Jo më kot ato emisionet 8-orëshe janë të dielën.

- Mjaft me këto librat. Po të ishin aq të rëndësishëm do i kishin nxjerrë në fejsbuk.

- Lexo Skifterin.

- Lexo Skifterin dhe thuaje me fjalët e tua.

- Lexo Skifterin, thuaje me fjalët e tua dhe shpërndaje lajmin e mirë.

- Fli prapë gjumë tani, se pjesa më e bukur e së dielës sapo kaloi.


December 29, 2012

[Skifteri edukon] Mani pulite

Interneti ka hyrë tashmë në jetën tonë të përditshme me të mirat dhe të metat e tij. Një nga dëmet e shkaktuara prej tij është abuzimi me fshehjen e identitetit. Në rrjetet sociale mund ta fillosh nga zero. Nëse në jetën e përditshme mund të jesh patetik, profilin tënd në facebook nuk e pengon njeri të jetë spektakolar.

Aktivitete pafund, foto me ngjyra dhe shume likes & comments. Ndonjë naiv mund të kujtojë se ajo është vetëm maja e icebergut dhe në fakt argëtimi ka qenë dhe më i madh, por në të vërtetë s'është veçse një bluff i trashë. Edhe aty ndihet mungesa e imagjinatës. Më të dëshpëruarve, Skifteri u sugjeron të krijojnë dhe 30 profile fake të cilat të adhurojnë profilin tuaj. Kështu mbase keni shanse që i dëshpëruari i 31-të t'i bashkohet orgjisë virtuale.

Në këtë kontekst, nëse pak shkrime më parë e lavdëruam Zuckerbergun për mundësitë e rritura të ofruara shqiptarëve për të gjetur të dashur, në të njëjtën masë duhet mallkuar për abuzimet që ka sjellë ose mund të sjellë. Grupmoshat më të predispozuara për të qenë viktima janë fëmijët dhe pleqtë. Ky problem ka filluar të shqetësojë shoqëritë e zhvilluara në të gjitha nivelet dhe për rrjedhojë ka filluar të trajtohet seriozisht. Është krijuar Internet Police, e cila ndër të tjera ka për detyrë të identifikojë abuzuesit dhe ti izolojë ata.

Si funksionon? Disa policë krijojnë profile fake, zakonisht femrash të bukura nën moshën 16 vjeç. Abuzuesit pasi shohin profilin e tyre, u flasin. Vajzat (policët) vazhdojnë të flirtojnë me abuzuesit derisa ata i ftojnë në shtëpinë e tyre. Aty paraqitet një vajzë police e maskuar si adoleshente. Në momentin që abuzuesi e prek femrën, ndërhyjnë forcat e policisë për ta arrestuar.


Përse nuk aplikohet dhe në Shqipëri? E para, abuzimet në Shqipëri fillojnë për së gjalli, me ngacmime në rrugë e deri te përdhunimet, pjesa më e madhe e të cilave as nuk denoncohen, kështu që trajtimi i abuzimit online duket si finesë. E dyta, do të kishim probleme logjistike sepse do arrestohej 30% e popullsisë mashkullore. E treta, policët me profile femrash, në këtë lojë undercover do të rrezikonin të abuzonin njëri-tjetrin.

Të gjitha këto të dhëna që në pamje të parë duken të ekzagjeruara janë të konfirmuara nga Skifteri Progress Report (SPR). Për më tepër:
  • Një vajzë me paraqitje mesatare, por aktive në facebook merr mesatarisht 2 friend requests në ditë. Nje vajzë me paraqitje mbi mesatare dhe aktive ne facebook merr mesatarisht 12 friend requests në ditë.
  • 75% e përdoruesve shqiptarë kanë të paktën dy profile në facebook. Njëri është "zyrtari" tjetri përdoret për: verifikim të vërtete, tradhëti bashkshortore, testim privacy settings, etc.
  • 30% e profileve fake janë djem nënash me profile vajzash. Puna shkon deri aty sa një djalë, megjithëse dyshon se po flet me një djalë tjetër që ka hapur profil vajze, vazhdon bisedën sepse ku i dihet, ja është vajzë?
  • 2% e popullsisë nuk e lexojnë SPR. Numra alarmues.
  • 1 në 13 persona e ka ndërgjegjen e pastër me facebook-un.

Etja seksuale e shqiptarëve mund të krahasohet fare mirë me etjen e udhëtarit në shkretëtirë, si nga ana e intensitetit të ndjesisë ashtu dhe nga shkaku (mungesa e ujit/seksit). Kjo është qesharake duke parë situatën jo më larg se fqinjët tanë. Nëse në SHBA, abuzuesit e Internetit janë zakonisht njerëz me probleme psiqike, tek ne janë thjesht njerëz që s'kanë plotësuar nevojat biologjike. Nga kjo rrjedh dhe përdorimi i mbrapshtë i rrjeteve sociale.

Si përfundim, Skifteri jua dha këshillat dhe nuk merret më me ju. Bëni çfarë të doni, por përdorni prezervativin!

P. S. Është i ndaluar leximi i këtij posti nga persona nën moshën 18 vjeç. Nëse e keni lexuar gjithsesi, bëni sikur s'e keni lexuar dhe silluni normalisht.

Gjeniu i vogël: Ishte një cjap që vajti te kasapi. Kur arriti te dera dhe pa hanxharin mendoi "Ej, po unë erdha si cjapi te kasapi". Që këtu edhe shprehja.

December 28, 2012

[Anatomi] Trois couleurs


Kemi tre ngjyra; e bardhë, e zezë dhe gri. Cilën do zgjidhnit?

Jo, sot nuk do ngjyrosim. 
Jo, s`është test psikologjie.
As për pallatet në Tiranë nuk do flasim.
Tjetër mendim ka?

Pooo, bravo Beni, ç`ngjyra janë këto derisa s`i ka as ylberi, bravo...po s`është puna këtu, tjetër mendim? S`ka?

Dakord, vazhdojmë atëherë, hapni fletoret dhe mbani shënim, mësimi për sot titullohet:

DASHURIA E SKIFTERIT PËR GRINË.

Dita kur Skifteri u ndriçua ka qenë dita kur u largua përfundimisht nga e bardha dhe e zeza. Në këtë ditë, ai arriti në përfundimin se gjërat e ndara me thikë nuk bëjnë për të, do i urrente gjithë jetën në vazhdimësi, do i shihte si shenja naiviteti dhe mendjengushtësie.

Kështu, Skifteri mësoi pas shumë vëzhgimesh – pse jo edhe te vetja – që njerëzit nuk janë kurrë të mirë ose të ligj, duke përjashtuar telenovelat. Njerëzit veprojnë në mijëra rrethana të ndryshme dhe ti di gjithmonë një pjesë të vogël të tyre. 
Ka veprime – në dukje të pashpjegueshme – nga dëshpërimi, frika, kompleksi i inferioritetit, zilia, dëshira për të arritur diçka më vonë…janë pa fund faktorët që ndikojnë një sjellje, të nxjerrësh konkluzione për një njeri thjesht duke dëgjuar një ose disa sjellje të tij është shembull i një njeriu të vogël.

Pastaj Skifteri filloi të rrallonte përdorimin e epitetit “kurvë”. E para, kjo fjalë ka aq përkufizime sa edhe njerëz që e thonë; ka nga ato që janë kurva se s`janë martuar të virgjëra, ka të tjera që e marrin emërtimin se shkojnë me vëllain e të dashurit, ca janë se të dashurin e kanë të pasur, ca se të ngelin në klasë, ca se janë drejtoresha, etj. 
E dyta, Skifteri vuri re që çdo histori zakonisht ka qindra minihistori brenda dhe nga jashtë është thuajse e pamundur të japësh verdikte.

Në këtë rrjedhë, Skifteri filloi të irritohej nga fjali absolute si këto:
- Një njeri kur dashuron nuk tradhton kurrë
- Familja është baza e çdo gjëje
- Njeriu nuk ndryshon asnjëherë

E shumë e shumë si këto. Fjali që i vënë vulën një diskutimi, s`lënë hapësira për dyshim.

Dhe iu kujtuan besimtarët. Ata për të cilët çdo gjë është e ndarë me thikë, kjo është mirë, kjo është keq. Tokën dhe njerëzit i krijoi Zoti dhe s`ka më pikë dyshimi. Lexo Librin e Shenjtë (cilindo) dhe ke çdo përgjigje aty, mos pyet më. Lutu dhe sillu mirë, kaq. Bardhezi.

Njëlloj si komunizmi. Partia i di të gjitha, ty të ka thënë çfarë është mirë dhe keq. Nuk duhet ta vrasësh mendjen për asgjë. Puno, ul kokën dhe sillu mirë. Bardhezi.

Të gjithë këta, sidomos këto 2 kategoritë e fundit, Skifteri i shikon si njerëz që e kanë shumë të lehtë jetën. S`kanë asnjë dyshim, çdo dilemë është e zgjidhur nga dikush/diçka sipër teje, s`ke pse lodhesh për asgjë.

Shkarkimi i përgjegjësive ka bërë shumë njerëz të lumtur, qoftë në komunizëm, qoftë si besimtarë. Ignorance is bliss.

Skifteri refuzoi kategorikisht – dhe me neveri – këtë jetesë të thjeshtë prej njeriu të vogël me mendje të ngushtë. Skifteri përqafoi grinë, si simbol të kompleksitetit të jetës dhe misterit. Sepse ka gjithmonë diçka të re për të zbuluar, është gjithmonë kjo grija me nuanca pa fund që e bën çdo ditë ndryshe nga tjetra. Skifteri as do t`u japë përgjigje të gjithave tamam tamam.

Dhe shyqyr që është kështu, Skifteri nuk do e dëshironte në asnjë mënyrë tjetër.

Vdekje absolutes dhe mos harroni detyrat e shtëpisë.

PS: Ky blog nuk është antijuventin. Le të themi…

Gjeniu i vogël: Marketing inovativ...

December 27, 2012

[Survivor] Rëndësi ka mendimi

- Zemër, sa të bukura këto çorapet!
- Po... Në fakt doja të të blija... po ti e di që kohët e fundit...
- E di shpirt, rëndësi ka mendimi.

Është periudhë festash, ku dhurata bëhet një nga personazhet kryesorë. Personazhet e tjerë janë ushqimi, zgjedhja e pub-it dhe ata që na duan dhe i duam. Ka njerëz që kanë shumë qejf të bëjnë dhurata, duke filluar që nga zgjedhja e tyre e deri te paketimi. Në ekstremin tjetër ka njerëz që urrejnë të bëjnë dhurata.

Arsyet janë nga më të ndryshmet: përtesa, kopracia, vështirësia e zgjedhjes, ose thjesht destinacioni nuk e meriton dhuratën por "duhet". Dikush prej jush do pyesë veten me të drejtë: pse të bësh dhuratë kur nuk e ndjen? Eh, pse nuk e kanë provuar kujtoni ju të mos bëjnë dhuratë? Kanë marrë qortime, sharje dhe ja ku janë sot të "detyruar" të bëjnë dhurata. Do ndalemi te kjo kategori e cila ka përdorur (shpikur?) fjalë të urta e shprehje popullore duke i shndërruar në parime që respektohen ad litteram. Ja disa grimca të zgjedhura rëndom por jo të rëndomta, të shkëputura nga Skifteri Progress Report (SPR).

Shumë e për lumë, pak e saktë. Sokrati nga Tepelena i dha 200 lekë të reja djalit që t'u jepte shokëve një drekë.

Trimi i mirë me shokë shumë. Indriti nga Kombinati (Tr) mblodhi lacat e lagjes që t'i gjenin dhuratë të dashurës dhe vajtën nga TEG-u. Lacat u treguan shumë proaktivë dhe sugjeruan goxha variante: varëse me gur Swarovski, shall nga Zara, paketë masazhesh, një orë Swatch. Indritit i kishte thënë e ëma "pyet shtatë vetë e bëj si di vetë". Kështu që ai i bleu një çadër te çamët dhe një kartolinë të lezetshme.

Hermiola nga Tirana: "Gjithkush që leu mendjen e tij pëlqeu. Më mirë jepu lekë dhe e dinë vetë ç'të blejnë".

Një i ri nga Fieri, nuk i bleu dhuratë së dashurës për Shën Valentin sepse "më mirë një mik se sa një thesar dhe dhurata më e shtrenjtë për ty jam unë". Mirëpo e dashura paskësh dëshiruar më mirë thesarin, kështu që për pak kohë e la djaloshin fierak për një lac nga Tirana.

Bashkimi, një polic, tip familjar nga Shkodra e ka si parim që në familje s'duhet të bësh dallime, prandaj djalit të vogël i bleu një pistoletë lodër, vajzës një pistoletë lodër, kurse gruas një pistoletë lodër. Pistoleta e gruas qëlloi skarco, po ç'rëndësi ka? "Nuk do rrojë më shumë se ne". Që të kursente për vete mbajti pistoletën e punës dhe filluan të luajnë së bashku.

Muharremi nga Tirana edhe natën e Vitit të Ri punoi si roje te firma X sh.p.k. I ati, pak pijanec nga natyra, i thoshte gjithnjë se ai që të rreh të do. Në mëngjesin e 1 janarit, kur u kthye në shtëpi Muharremi i bëri dhuratë një dru gruas që ta mbante mend për gjithë jetën.

Skifteri i kupton të gjitha, po ato statujat prej porcelani s'i ka kuptuar ndonjëherë si dhurata. Sa pa fantazi duhet të jesh? Janë lirë? Apo ta kanë bërë dhuratë dhe s'di ta heqësh qafe?

Gjeniu i vogël: I ka shumë qejf surprizat. Kështu që s'i bëra asnjë dhuratë.

December 26, 2012

[Biznis] Nigjo jer

Laci është një fenomen shumë kompleks, kështu që, si me shumë tema të tjera, ky do jetë një kantier i hapur me punimet që do vazhdojnë me muaj, ndoshta vite.
 
Mirë se erdhe mes nesh lac, ky është episodi i parë që të është kushtuar ty. Pas “Nusja dhe Shtetrrethimi” sot vjen “Laci dhe Menaxhimi”.

 
Laci nuk e duron dot mendimin e të paguarit për shërbime, nuk e koncepton dot që njëri t`i marrë paratë e tij pa i ofruar asnjë mall. Kështu, laci kur hap lokal refuzon kategorikisht të paguajë një interior designer, e arredon vetë gjithë lokalin, vendos për ngjyrat, e di ai dhe vetëm ai çfarë shkon me çfarë, e ka në kokë gjithë skemën, i duket vetja Leonardo.

 
Lokali hapet. Laci i jep direktivat e para kamarierit. 

 
Sa të duket që klienti është drejt fundit të konsumimit, duhet t`i hiqet pija, që klienti të stresohet dhe të detyrohet ose të porosise diçka tjetër, ose të çohet dhe të iki.

 
Pas orës 20:00 laci vendos të mos shërbehet më kafe, se duket keq dhe njerëzit rrinë 2-3 orë me një filxhan para, duke acaruar edhe ata që vërtet duan kafe dhe nuk e zgjedhin se është më lirë. Lacit as i shkon në mendje të trefishojë çmimin e kafes pas asaj ore për të gjetur një kompromis.

Dhe një strategji tjetër gjeniale e lacit, e adoptuar kohët e fundit; kamarieri të thotë “edhe një ujë pa gaz, apo jo” me një ton midis sugjerimit dhe faktit të kryer. Ose ta sjell vetë, pa e porositur ti, në tavolinë.

Laci hap dyqan rrobash. Porosia e parë që i jep shitëses është të acarojë klientin duke i qëndruar 30 centimetra afër në çdo lëvizje që bën klienti. Pastaj të komentojë çdo lëvizje të tij, çdo bluzë që prek me dorë ose që thjesht shikon. 

 
Zakonisht fiks atë bluzën që ka prekur klienti e veshin gjithë çunat e rinj, klientit fiks ajo do i shkonte shumë dhe është koleksion i ri.
Ky koleksioni i ri përbën zakonisht 98.8% të mallit të dyqanit dhe përjashtohet nga uljet. Të cilat laci i ka afishuar jashtë me shkrimin “ÇDO GJË -50%”.
Malli vjen gjithmonë nga Italia. Kjo nuk diskutohet, është postulat.

Laci tjetër është ai që ka biznes të madh. Këtu laci arrin kulmin, bëhët arrogant si në asnjë rast tjetër, nuk pranon absolutisht asnjë sugjerim.

 
Biznesi ka menaxher, por strategjitë i vendos laci. Përderisa ai ka qenë aq i zgjuar sa të bëjë lekët për të hapur këtë biznes, një menaxher do e dijë më mirë se ai?


Pastaj bën vetë edhe marketing-un, gjë e cila përkthehet në reklama skandaloze në tv, pamje filmike të fabrikës dhe procesit të prodhimit për të treguar teknologjinë e fundit, e shoqëruar me një këngë të momentit (mundësisht summer hit) në sfond, slogane të tipit "Pse tjetër?"...dhe fjala "kualitet" e futur gjithandej, se lacit i pëlqen shumë, i tingëllon shumë moderne. 
 

Pastaj bëhet më i zoti se një arkitekt, më i aftë se një pedagog (në rastin e shkollave private), duhet parë madje te spitalet private si sillet me doktorët, s`është habi t`i japë këshilla të vlefshme doktorit për operacionin e radhës.

Të gjitha këto sepse laci në luftën fitim afatshkurtër vs fitim afatgjatë zgjedh gjithmonë të parën. 

 
Gjeniu i vogël: Këtë e pikasëm dje në fejsbuk…   


December 25, 2012

[Skifteri edukon] Kështu foli Skifteri...

Gëzuar Krishtlindjet! Viti 2013 do jetë deçiziv për shqiptarët, kështu që le të marrim një shëmbëlltyrë nga Bibla meqë e sugjeron dhe dita.

Një pronar u dha shërbëtorëve para dhe u nis për rrugë. Dy prej tyre e investuan paranë dhe e shtuan. I treti e groposi, pasi kishte frikë se mos pronari e qortonte. Kur pronari u kthye, dy shërbëtorët e parë i lavdëroi pasi u treguan punëtorë, kurse të tretin e qortoi për përtaci. Jezusi e shpjegon shëmbëlltyrën nëpërmjet zbërthimit të simboleve. Pronari simbolizon Perëndinë, shërbëtorët simbolizojnë njërzit kurse paraja besimi i Perëndisë te njerëzit. Perëndia gjykon se si njerëzit e përdorin besimin e Tij.

Rikthehemi te njerzit dhe shtojmë në shëmbëlltyrë një shërbëtor të katërt i cili e harxhon paranë. Kur pronari do kthehet nga udhëtimi mesiguri do ta dënojë shërbëtorin ose do ta zëvendësojë me një shërbëtor tjetër, por gjithsesi nuk mund të skandalizohet dhe të bëjë të habiturin dhe moralizuesin. Në fund të fundit u besoi paratë disa të huajve dhe në botë ka njerëz nga më të ndryshmit, ndër të tjerë dhe hajdutë (ky përfundim është shumë i rëndësishëm!).

Lexues, e lëmë shëmbëlltyrën dhe katapultohemi në realitet. Pronari është populli sovran, shërbëtorët janë partitë politike në shërbimin tonë, kurse paratë janë votat. Pyetja e Skifterit për ju është: si i bëhet në qoftë se nuk ke besim te asnjë nga të katër shërbëtorët? Nëse nuk keni kohë të mendoheni sepse mund të ftohet gjeli i detit, atëherë përgjigjen e gjeni mes rreshtave të këtij shkrimi.

P.S. Për Shqipërinë, shëmbëlltyra duhet të ishte: "Na ishte një shërbëtor me katër pronarë...". Ndonëse demokracia jonë ka mbushur 20 vjeç është akoma në fazën e pubertetit. Megjithatë votën e ka populli dhe partitë s'kanë fuqi pa votën. Alternativën kristiane "t'i kthejmë dhe faqen tjetër" e kemi në xhep, madje të perfeksionuar.

Gjeniu i vogël: "Nga studimet më të fundit rezulton se Jezusi ka lindur në vitin 3 para erës sonë, ose e thënë ndryshe në vitin 3 para lindjes së Krishtit".

[Anatomi] Skifteri hulumton

Skifteri është i angazhuar vazhdimisht në një kryqëzatë kundër injorancës, banalitetit, vetëkënaqësisë dhe mediokritetit. 
 
Si rezultat i kësaj, vlerësimi që Skifteri ka për njerëzit inteligjentë e bën që të tregohet tolerant edhe ndaj atyre që kanë pak Makiavel brenda tyre, për sa kohë janë origjinalë në intriga dhe përfitojnë me të drejtë nga tipat që mezi kapin numër dyshifror në IQ. Skifteri mundohet të ketë keqardhje për këtë pjesën e mashtruar (që zakonisht është shumica) por e ka shumë të vështirë. I vetmi mendim që i vjen në mend është që e meritojnë.

 
Madje të jetë për Skifterin vota duhet ponderuar me IQ-në. Nuk mund të vlejë njëlloj vota e një peme me atë të një homo sapiens. Thjesht nuk është e mundur. 

 
Tani, është edhe një kategori tjetër njerëzish inteligjentë, të cilët Skifteri i vendos në piedestal, sepse inteligjencën e përdorin më shumë për vetëmbrojtje se për sulm, kanë mjete për të çarë përpara pa patur nevojë të përdorin vazhdimisht bërrylin, sepse dinë të rendisin prioritetet, janë të programuar, dinë ç`bëjnë, janë njëkohësisht edhe elastikë. Dhe kanë diçka tjetër të cilën Skifteri nuk mund të mos e përmendë:

 
Këta njerëz ndihen shumë mirë me veten, si rrjedhojë nuk ndiejnë nevojën për të përdorur arrogancën dhe ironinë pa pushim për të fshehur pasiguritë e tyre. 

   
Ky lloj individi është i rrallë dhe në zhdukje, por ju mund ta gjeni nga këto shenja dalluese: 
 
-    Është femër 

-    Të sqaron çdo gjë deri në detaj, mjafton të pyesësh, nuk bezdiset
-    Është dëgjuese e mirë
-    Flet me shumë mirësjellje 
-    Shikon në sy kur flet
-    Ka sy të gjallë
-    Ka sens humori
-    Ka shpirt organizativ
-    Trasmeton energji pozitive përreth
-    Ka sex appeal
-    Ka shumë sex appeal
-    Në ndonjë rast tregon shenja të lehta naiviteti, duke marrë seriozisht – monologu plot pathos i përfshirë – çështje që të gjithë i injorojnë.
-    Ndihmon jetimët duke bërë punë vullnetare
-    Bën jetë të shëndetshme
-    Është tip sportiv, për të mos thënë që merr pjesë edhe në maratona

 
Për ta pëmbledhur, një njeri që ke qejf ta kesh afër…

 
Me këtë frymë pra, Skifteri këtë lloj personi jo vetëm që e uron për Krishtlindje, por e përqafon.

 
S.B. (ALIAS Skifteri Blogu, para se të krijohet ideja sikur këtë e ka postuar kryeministri ynë, ose Berlusconi).

 
PS: Jemi të ndërgjegjshëm që lexuesi mund të mendojë “nuk ka kshu lloj robsh”. Edhe ka edhe ka.


Gjeniu i vogël: Me një njeri të zgjuar ke qejf të bisedosh (Marrë nga: Dostojekvsi dhe Skifteri, Kujtime, 1879)

December 24, 2012

[Life style] Ovis aries


Jemi në prag festash dhe kjo atmosferë nuk ka kursyer as Skifterin, i cili rrezaton energji pozitive nga çdo pore e lëkurës, ndihet më human se kurrë, për pak mori rrugën për Sudan për të ndihmuar fëmijët e Darfurit me ushqime dhe veshmbathje. Me tranzit në Gaza.

Pastaj iu kujtua dashuria për blogun dhe qëndroi.

Vendosi t`i kalojë festat në Tiranë, edhe për të mos i kthyer shpinën atdheut në 100-vjetorin e shtetformimit.
Me këtë frymë euforike dashurie për njerëzit Skifteri merr në telefon 124.5 veta për të organizuar një rreth social të jashtëzakonshëm në numër, mundësisht të veshur me pulovra me kuadrata dhe këmisha, për një festë që t`ua tregojë nipërve.

Nga këta 124.5 veta merr 2 lloj pëgjigjesh:

1. Kemi rezervuar te [emër pubi]
2. Duam të rezervojmë te [emër pubi]

Njëri më original se tjetri. 

Skifterin ka filluar ta irritojë – ende në mënyrë të moderuar – ky argëtimi monotematik në Tiranë.

8 mars? Rezervim në pub.
Krishtlindje? Pub.
Vit i Ri? Pub.
Nata e bardhë? Pub.
Pashkët? Pub.
Dita e verës? Pub.
100 vjetori i pavarësisë nuk diskutohet, mezi gjeje tavolinë.

Mungon vetëm Nata e Kadrit, e cila duhet dhënë si ide në fakt. Të quhet dry night për shembull, me të gjithë besimtarët myslimanë mbi tavolina dhe banak, por pa pirë absolutisht asgjë. 

Duhet thënë që vite më parë edhe kishte kuptim, sepse jeta e natës nuk krahasohej me si është tani. Për shembull, para dhjetë vjetësh nata e Vitit të Ri dukej një çmenduri, rrugët dhe lokalet plot, bënte më shumë përshtypje dhe njerëzit e shijonin më shumë pikërisht për këtë arsye; ndodhte rrallë.
Tani 3-4 ditë në javë ke shumë vende që janë plot (ose thuajse plot), një Vit i Ri i kaluar në pub është krejt e njëjta gjë me një ditë fundjave, disa orë kërcim+alkool dhe kaq.

Puna është se këtë bëjnë shumica dërrmuese, që janë edhe njerëzit që të rrethojnë. Puna tjetër është se ka arritur një pikë ku është formuar një mendim i përgjithshëm sipas së cilit tingëllon patetike të mos kesh qenë në pub një nga këto ditët e shënuara.
Sepse do të të pyesin të nesërmen, çfarë do u thuash? Që dole për një birrë dhe u ktheve shpejt?
Që lexove diçka dhe nuk dole atë natë? Që pe një film? Dokumentar? Bëre një festë në shtëpi?
Nuk je cool, pa si të duash.

Si rezultat i kësaj, ka edhe njerëz që shkojnë se duhet të shkojnë, përndryshe nuk janë të grupi i atyre që dinë të shijojnë jetën, hyjnë automatikisht te njerëzit e lodhur. Skifteri garanton me emrin e tij që si këta ka plot, njerëz me personalitet të fortë ka shumë pak.

Dhe ja ku u formua ajo që quhet modë. Si gjithmonë në botën e modës, 3 vendosin rrugën, 100 ndjekin verbërisht, pa pyetur, pa u menduar gjatë. Sepse të ndjekësh modën është me përkufizim diçka irracionale. Bën diçka se e bëjnë të tjerët dhe s`ke personalitet të rrish jashtë grupit, do ndiheshe i pambrojtur. Të pëlqen apo jo kjo që po bën pak rëndësi ka. Këta të tjerët s`janë budallenj që po e bëjnë, nga dole ti...

PS: Skifteri, duke shkruar, mendoi edhe 20 fusha të tjera të jetës ku vlejnë këto fjalitë e fundit.

Gjeniu i vogël: Erdhën dy rusë, i shëtita pak natën, më thane “Ne kemi parë edhe në Moskë, po jo jo…këtu u bëka nami”.

December 23, 2012

[Free Styler] Kush e solli Doruntinën?

Kjo është e vetmja pyetje së cilës Skifteri nuk ia di përgjigjen. Dhe as ka për ta ditur ndonjëherë. Atëherë le të flasim për fundin e botës të datës 21.12.2012. Nuk është fundi i parë i botës që kalojmë dhe s'do jetë as i fundit. Kjo temë është stërdiskutuar dhe Skifteri i qëndron larg banalitetit, por një gjykim duhet shprehur: sa pa fantazi paskan qenë njerëzit!

Emisione të tëra me astronomë dhe astrologë (që nuk para e honepsin dot njëri-tjetrin) dhe me sytë e drejtuar nga NASA. Pse vallë e imagjinojnë fundin e botës me meteorë që përplasen në tokë? Pa u menduar fare, dy skenarë shumë realë dhe non-fiction mund të ishin: (1) Një shtet shpërthen të gjitha bombat atomike që zotëron dhe për Tokën do flitet në kohën e shkuar. (2) Një virus shpëton nga laboratorët dhe natyra rifiton prapë ekuilibrin ekologjik.

Duke hedhur një sy nga historia, numri vdekjeve të shkaktuara nga meteorët është i papërfillshëm. Duke hequr vdekjet që shkakton plakja, shumica e njerëzve kanë vdekur në luftë (kundër njerëzve të tjerë). Më shumë se meteorët kanë shkaktuar vdekje aksidentet me makinë, diareja dhe gripi. Kështu që ngisni kujdesshëm, hani mirë dhe vishuni trashë.

Gjeniu i vogël: Dielli është 30 mijë vjet larg Tokës.

December 22, 2012

[Flora dhe Fauna] Gjinkalla

Premisë: Ky shkrues i Skifterit këtë temë e ka shumë për zemër, do ketë njëqind episode kjo temë, kjo është thjesht parathënia.
Hapni pak Super Sonic ose BBF. Dëgjoni. Kjo është muzika që na përfaqëson. Qindra pseudomuzikantë që promovojnë veten me këngë ku të gjithë instrumentat mbulohen nga një sintetizator.
Dakord, këngët janë skandaloze, po të paktën kanë zë? Jo.
Ok, zë s`kanë, po të paktën kanë vesh muzikor? Jo jo, në ndonjë rast të rrallë kur mund t`i dëgjosh live i kupton menjëherë…
Dakord, po nuk mund të mos vlerësosh faktin që punojnë, lodhen për këtë gjë, shfaqin grimca pasioni për muzikën, tjetër punë që s`kanë talent, apo jo? Jo, as kjo s`qëndron.
Këtu në Shqipëri gjendja e muzikës është e mjerë, nuk ka fjalë tjetër më afër realitetit.
Refugjatë Greqie ose Italie që vijnë dhe komisionojnë një këngë me një mijë e pak euro, femra që ua bën dhuratë të njëjtën gjë i dashuri dhe ndërkohë “rrisin çmimin” e tyre…dhe turbofolk, shumë turbofolk. Pastaj hip-hop dhe R&B.
Të gjitha këto të krijuara me një sintetizator, mos harrojmë.
Kjo përsa i përket muzikës – le ta quajmë kështu – komerciale. Unë nuk dua të ndalem këtu, sepse një tregtar i mirë ofron atë që duan klientët, s`ka asgjë të keqe këtu. Madje i përgëzoj, pavarësisht se promovojnë injorancë, s`është detyra ime të edukoj popullin, maksimumi të vë në dukje. Këta dinë të shesin, prodhojnë muzikë në sasi industriale, as pretendojnë të jenë supermuzikantë, thjesht tregtarë. Chapeau!
Pastaj edhe diçka tjetër, kjo muzika komerciale ekziston gjithandej, është në rritje, mos shkulim flokët për rastin shqiptar se është fenomen global.
Një tjetër kategori është shqetësuese. Janë këta të tjerët që “urrejnë” muzikën komerciale. E para, unë këtë koncept s`e kam kuptuar asnjëherë; kur quhet komerciale një këngë/grup? E keni vënë re që sa bëhet i njohur një grup etiketohet si komercial? Ku është pragu?
Pale, vazhdojmë…
Është kjo minoranca e këtyre, po thonim, këta që marrin vesh nga muzika, merren më shumë se normalja me muzikë, urrejnë komercialen dhe formojnë grupe.
Këtu do ndalemi pak, te këta grupet shqiptarë. Unë i kam parë nga brenda dhe i njoh shumë mirë këta tipat. Kam qenë në studio qindra herë duke i dëgjuar, i kam dëgjuar kur diskutojnë, ua di etikën e punës.
Janë krejtësisht përtacë dhe në shumicën e rasteve të paaftë. Ose e thënë më mirë, janë të paaftë sepse janë shumë përtacë. Si rezultat i kësaj, duke parë edhe çfarë ka vërdallë, kënaqen me pak, punojnë – si grup dhe individualisht – shumë pak orë në javë nëpër studio. Fryti i gjithë kësaj duket nëpër lokalet ku këndojnë. Mediokër në instrumenta, skandalozë në zë. Nuk është fare punë talenti, edhe grupet më të talentuara në botë punojnë edhe 15 orë në ditë në studio për një vit për të nxjerrë një album. U kuptuam? Në qoftë se ndonjëri prej jush po lexon, nuk je Moxarti që të shkruash muzikë me një frymë! Punë, shumë punë!
Nuk kam parë një grup shqiptar që të punojë intensivisht, të krijojë dhe të këndojë këngët e tij në një lokal, jo covers të përzgjedhura që të jenë edhe të lehta për t`u kënduar, edhe në instrumenta.
Ose – larg qoftë – të nxjerrin një album. Ose të japin një koncert dy orësh, me publikun që këndon këngët e tyre.
Thjesht nuk ka.
Por pastaj shikon Këngën Magjike, vë re që këndohet playback, që për mua është tallja më e madhe që mund të bësh me publikun. Pastaj shikon që kjo  justifikohet me “ndonjëherë shkon në një festival për të dëgjuar zërin, ndonjëherë për të parë veshjet dhe trupat e mrekullueshëm të këngëtareve tona”.
Dhe mendon që s`ka shpresë për muzikën këtu. Hedhim sytë nga drejtime të tjera për dritë në fund të tunelit. Ku di unë, ekonomia, kultura…

Gjeniu i vogël: Kitara ka gjashtë tela, një më shumë se gishtat e dorës. Prandaj, nuk i bie dot me një dorë.

December 21, 2012

[Flora dhe Fauna] Papagalli

Dje në mbrëmje isha pak në Bruksel, por nuk do flas për Brukselin. Ai flet vetë për veten. Në aeroport rastisi të bashkëudhëtonte një delegacion shqiptarësh nga institucioni X, 4 mesogra dhe 2 mesoburra. Këtejpari (është një fjalë që e kam parë në gazetë kohët e fundit dhe thashë ta provoj si shkon në fjali, por nuk shkon fare), në kësi grupesh ekziston gjithmonë dikush që e mban gjallë atmosferën, i.e. humoristi i grupit. Këta zakonisht quhen Beni. Kur ka dy Bena në grup humoret s'kanë të sosur sepse janë hidh-e-prit. Kurse kur qëllojnë tre Bena vetëm bisedojnë për çështje serioze, për shembull "si të zësh dashnore kollaj".

Anëtarët e tjerë të grupit zakonisht quhen Leta, Nermini, Marjeta, Zamira dhe Fiqo. Më tepër se humorist Beni është dhe kronikari i ekspeditës. Nuk ka episod që të mos e komentojë Beni.

1. Menjëherë pas check-in-it: "Nerminin (një trupshkurtër) na e lanë me çantat e dorës, të kishte qenë një qofte më e gjatë do e kishim çuar me bagazhet". Gratë u gajasën.
2. Te skaneri Fiqon e ndaluan sepse u lëshua alarmi për detektim metali. Polici i kufirit u afrua me shkopin magjik, i ngriti duart, i hapi këmbët Fiqos dhe filloi ta kontrollonte me imtësi. Beni: "Fiqo, kujdes me atë shkopin e zi." Fiqo s'e mbajti dot të qeshurën, gratë u mekën, kurse polici e kuptoi aludimin, mirëpo punën e çoi deri në fund. "Marjeta po thotë ishalla më kontrollojnë dhe mua".
3. Në duty free shop: "Leta, mos harrosh drejtorin, Leta!". Hahahaha.
4. Kur hynë në avionin e Austrian Airlines, Nermini ngatërroi vendin. Një zezak i vuri në dukje gabimin dhe iu lut të lëvizte te vendi i saj: "U hutove Nermini, të ngeli mendja te shkopi i zi". Të qeshura duke përplasur këmbë e duar, fytyra të skuqura, ultratinguj.
5. Te turbulenca e parë: "Qenka rrugë me gropa". Këtu s'e mbajtën veten as stewardess-at austriake as pasagjerët e tjerë të huaj, madje madje as pilotët. U gajasën të gjithë. Beni ishte gjithmonë një hap para të gjithëve, kishte folur anglisht.

Së fundi, nga popullariteti i tepërt Benave u marrin mendimin dhe për çështje serioze. Për shembull, austriaku i pret pasagjerët me muzikë klasike.
- Kanë kulturë të paparë. Edhe në avion shiko çfarë muzike të vënë. - tha Leta si krejt papritur.
- Normale. Me kompozitorët që kanë... Vetëm Shtrausi sa pare bën! - ia priti Beni aty për aty.
E para, Shtraus llaf goje se nuk është vetëm një, e dyta kush e ndalon Belle Air-in të luajë muzikë klasike në sfond?

Morali? S`ka. Beni gjen pa bën.
Shfaqja u mbyll me duartrokitje të stuhishme. Avioni sapo kishte prekur tokën dhe të gjithë u sulën te bagazhet se mos ua vidhnin.

Gjeniu i vogël: Pse tregon aparati se jashtë avionit është -20 gradë? Jemi mbi Zvicër pra...



December 20, 2012

[Life style] Il mio rifugio virtuale


Episodi I. Intro
 
Kur kanë dalë fejsbuku dhe rrjetet e tjera sociale Skifteri  - me pozitivitetin që e karakterizon - mendoi që kjo ishte shkëndija që mund të zgjidhë shumë probleme në Shqipëri. Sa të presim të mposhtim komplekset tona, më mirë i anashkalojmë.
Konkretisht, të gjithë çunat dhe gocat tani gjetën mënyrën për t`u njohur, duke qenë se në lokale është vështirë (kemi folur pak për jetën e natës). Në fakt i duhet shtrënguar dora Mark Zuckerbergut, sepse duhet thënë që fejsbuku vertet ka ndihmuar në këtë drejtim, kam dëgjuar shumë raste njohjesh, lidhjesh, fejesash, martesash me anë të këtij rrjeti. Bravo Mark, chapeau!
Kur fshihesh pas një ekrani, je shumë më i lirshëm, kështu që të vëzhgosh dhe studiosh këtë fenomen jo vetëm që ja vlen, por krijon varësi.
Ok, boll e mburrëm tani (megjithëse fejsbuku vetë s`ka asnjë faj, është thjesht mjet):
I keni parë këta tipat që vënë absolutisht çdo aktivitet të tyrin në fejsbuk? Të shoqëruar mundësisht me një foto me buzëqeshje stil 32 dhëmbë?
Po ata që janë onlajn gjithë ditën? Kur flenë këta? 
Po ata që përdorin shprehje "Lucerna qenka fantastike" vetëm për të treguar që po udhëtojnë?
Historitë e burgaxhinjve me dashuri platonike me ndihmën e fejsbukut?
Për të arritur te kategoria që acaron më shumë nga të gjithë Skifterin; nënat më fëmijë të vegjël...
Ju lutem shumë, ju bëj thirrje: Asnjërit nuk i intereson të shohë fëmijën tënd në mijëra pozicione, duke ngrënë, duke qeshur, duke qarë, duke derdhur diçka ndërkohë që ti qesh me duart te faqet, duke u bërë pis me Nutella dhe 3 veta duke e parë me adhurim sikur është gjeni, duke fjetur, duke ndërruar kapelet...e 1001 kotësira si këto.
Vetëm ty të interesojnë, të lutem na i kurse, falemnderit.
PS: Për fejesa dhe martesa me anë të fejsbukut nuk kam dëgjuar, po shkonte me kontekstin.
PPS (të mos ngatërrohet me PPSH): Kjo temë është shumë e gjerë. Të jetë e qartë, ky post ishte vetëm trailer-i. 
Gjeniu i vogël: Doktorët qenkan sh të mirë! - at Hygeia Hospital, Tirana.