May 19, 2014

[Anatomi] Catch 22


Para se të fillojmë, duhet t`u përgjigjemi letrave që shfaqin indinjim për çrregullsinë e shkrimeve në blog. Kjo është si t`i ankohet Moisiu qiellit se s`ia dërgoi urdhëresat më përpara. Këto janë punë më të mëdha se Moisiu.
Tani vazhdojmë të qetë.

Skifteri është shumë krenar që jeton në Shqipëri, një vend ku ligji nuk zbatohet shkronjë për shkronjë por mbizotëron bon sensi. E megjithatë, para ligjit të gjithë janë të barabartë.

Ngjarjet e fundit në lidhje me drogën e kanë ndarë opinionin publik në më shumë se dy pjesë. Secili ka këndvështrimin e tij dhe nxjerr përfundime sipas qejfit dhe interesit. Më shumë nga të gjithë më shqetëson një farë mendimi që për fat të keq e kanë edhe disa prej miqve më të mirë të Skifterit. Dyshimet e tyre mund të përmblidhen me pak fjalë si më poshtë:

Është skandaloze të merresh me një makinë, avion apo mushkë, qoftë ajo një linjë e rregullt apo sporadike, në një kohë kur dihet burimi i prodhimit të drogës, me adresë të saktë dhe me gjerësi dhe gjatësi gjeografike të njohur (së fundmi, plantacionet me cannabis sativa mund të shikohen dhe me Google Earth, për tu admiruar pjelloria duke pasur parasysh shkretinat përreth. Shënim i autorit). Nëse mund të shkatërrosh burimin që është një (ose disa, por gjithsesi pak), pse të lodhesh me shpërndarjen e cila ka mbi një mijë degë?

Dyshimi i dytë: pse një konsumator droge mund të dënohet (dhe është dënuar) me pesë deri në dhjetë vjet burg, ndërsa një prodhues droge për një milion konsumatorë nuk preket me dorë?

Dyshimi i tretë: përse droga tolerohet kurse krimet e tjera si vrasja dhe vjedhja nuk tolerohen?


Naimit dhe Çajupit u ra goja për këto mrekulli

Po u përgjigjemi shkurt por qartë. Në radhë të parë, janë të gjitha teori konspirative ato që mendojnë se shteti privilegjon Lazaratin, është thjesht çështje bon sensi. Si mund të flaken në rrugë dhjetë mijë të punësuar në një kohë kur qeveria po mundohet të ulë papunësinë? Duhen hapur vende të reja, jo të mbyllen ato ekzistente.

E dyta, si mund të burgosësh një bujk i cili thjesht mbjell dhe korr. Për bujkun është madje më e vështirë mbjellja e cannabisit, një bimë kërkuese në përkujdesje, sesa mbjellja e mollës, domates, etj. Thjesht tregu ka vendosur që kjo kulturë shitet më shtrenjtë.

E treta, si mund të djegësh gjithë atë gjelbërim që janë mushkëritë e një qyteti/fshati?

E katërta, mbasi fqinjët tanë kanë eksportuar drejt nesh lloj-lloj ushqimesh të skaduara, plehra etj, nuk është koha t`ua kthejmë me të njëjtën monedhë? Madje madje, kjo është të kthesh faqen tjetër, sepse në kohë krize Shqipëria mundohet të relaksojë gjithë Europën.

E pesta, Lazarati i shkretë ka bad PR, e keni idenë sa fshatra në Shqiperi kanë të njëjtën agrikulturë?

E gjashta, kot na e ka dhënë natyra klimën ideale për këtë? Afganistani i shkretë u mundua të mbjellë cannabis, nuk mundi, uli kokën në turp dhe bëri kompromis me opiumin. S`ke pulën do hash sorrën.

E shtata dhe më e rëndësishmja, faktori ekonomik. Pse të mbajmë me shpenzime ata 10 000 veta të cilët sot na kanë në kurriz?

Por si shtrohet problemi nga ana juridike? A jemi në anën e të drejtës? Po. Të gjithë jemi të barabartë përpara ligjit, problemi është kë do nxjerrim përpara ligjit. Sot për sot nuk na leverdis ta nxerrim motorin tonë ekonomik përpara ligjit.

Po si mund ti përgjigjemi një xhepisti të linjës Kinostudio-Kombinat që dergjet në qeli dhe thërret për drejtesi? Jeni shumë pak. Njëzet? Tridhjetë? Mundohuni të kaloni mijëshin dhe do t’ju trajtojmë ndryshe. Mos shkoni vetë të vidhni por punësoni të dytë dhe të tretë. Mos operoni në një linjë autobuzi, por hapni filiale në të gjithë vendin. Bashkohuni, ngrehuni dhe bjeruni, korrini dhe shtypini, katundar' e punëtorë, që nga Shkodra…

PS: U themi atyre që na kanë inat se nuk mjafton 1 tërmet për të intimiduar Skifterin.

March 6, 2014

[J'adore] Let's play

Lexonjës anembanë. Disa poste më parë një komentues anonim ngriti një pyetje të tipit "A quhet kur...". E vleresojmë shumë dëshirën për dije të komentuesve tanë. Më mirë të pyesësh se sa të veprosh me kokën tënde dhe të bësh kushedi se çfarë gafe.

Për këtë arsye Skifteri do ketë një rubrikë të përjavshme në të cilën do vendosë qartë çfarë quhet dhe çfarë nuk quhet.

Ja dhe dekalogu për sot, dekalog që garanton bashkëjetesën në shoqëri:

1. Quhet transformator ai që e kthen dhimbjen në forcë.

2. Quhet lekist ai që përkrah ardhjen në pushtet të Lekës së II-të.

3. Quhet stomatolog dhe ai që ka mbaruar UFO-n. Rëndesi ka mendimi.

4. Quhen VIP edhe VIP-at shqiptarë, po jane vipa vk.

5. Quhet kampion një provëz me urinë që përdoret për analiza.

6. Quhet kur lekët e dhuratës për S. Valentin i përdor për motel.

7. Quhet të ulesh në lokal dhe të mos marresh gjë. Po të la kamarrieri... Quhet edhe kur pas fjalisë "po eshte ujë depozite" t'i përgjigjesh "s'ka problem, mbushe".

8. Quhet kur hap profil fallco për të gjetur burrë/grua. Eshte shfaqja më paqësore e skizofrenisë. Quhet edhe kur hap profil fallco për të provokuar të dashurën. Po nuk flirtoi she's a keeper.

9. Quhet të mbash 1 minutë heshtje në Parlament për protestuesit e vrarë në Ukrainë, pas 21 janarit. Apo jo PD?

10. Quhet kur shan nga motra një arbitër që s'ka motër.

February 25, 2014

[Skifteri edukon] How to be a loser

Qindra e mijëra e miliona lexonjës nga e gjithë bota dhe më gjerë,

Skifteri ju uron një javë të mbarë! Po ta keni vënë re, Skifteri ka filluar ta nisë fundjavën të enjten në mbrëmje dhe ta mbyllë të hënën në darkë. Është shumë më relaksuese kështu. Madje mund ta merrni dhe të mërkurën si pushim të vogël për rigjenerim.

Por le të fillojmë pa humbur kohë sepse posti i sotëm është shumë i shkurtër po me një hyrje shumë të gjatë. Nuk është një paradoks por thjesht duam të jemi shumë të qartë, kështu që përqëndrohuni që të mos e humbni fillin logjik.

Siç kanë thënë dhe baballarët e ekonomisë të mirat në Tokë (si planet) janë të kufizuara. Nuk ka para për të gjithë, nuk ka femra për të gjithë, nuk ka meshkuj për të gjithë. As ky i fundit nuk është paradoks. Madje është një problem shumë i prekshëm. Të ngrejë dorën kush nuk njeh të paktën nja dhjetë veta që e kanë këtë problem.

Mirë, mirë, i ulim duart tani dhe vazhdojmë. Po thonim se janë zbuluar tashmë shijet e meshkujve dhe në këtë drejtim po punohet fuqishëm. Femrat që janë single ose janë super dembele, ose presin princin e kaltër t’u hyjë nga dritarja. Kurse shijet e femrave vazhdojnë mbeten enigmë...
Megjithatë disa mendojnë se e kanë zbuluar dhe këtë sekret dhe jo vetëm kaq por po e vënë në dispozicion të popullsisë së gjerë (pa të drejtë mendon Skifteri, sepse do e mësojnë të gjithë dhe do fillojë lufta nga e para).

Si fillim, janë shkruar mijëra libra të cilët garantojnë suksesin me seksin e kundërt, këshilla nëpër revista, etj.

Po a ka maskarallëk më të madh? A mund të gënjesh të verbrin se do shikojë? A mund të gënjesh pulën se do fluturojë? A mund ta gënjesh dobiçin se i ati ka rënë hero në luftë? Në radhë të parë, kush blen këtë farë libri s’ka për të puthur më femër se vetëbesimi është përtokë. Nuk kemi parë ndonjë profesor doktor në pushtimin e zemrave me manualin në xhep, ditën duke u mësuar të dëshpëruarve sekretet e suksesit, natën duke bërë kërdinë nëpër klube.

Këshilla e parë, të jesh vetvetja. Isha pra vetëvetja, nuk më eci dhe bleva librin.
Këshilla e dytë, në takimin e parë kini parasysh... Ej, prit, prit. Si takimi parë? Ajo është gjysma e punës. Si arrihet te takimi i parë po pyes unë.

Këshilla e tretë, përpiqu të jesh spontan... S’po vazhdojmë më.

I merr subjekti i shkretë këshillat një më një dhe i perfeksionon. Pastaj del në arenën e madhe të përballet me botën. Mirëpo askush nuk i ka thënë çfarë ndodh kur objektivi nuk t'i hedh sytë fare. Kur hapet ndonjë bisedë subjekti fillon të ketë emocione dhe nuk i vijnë fjalët. Kur gjenden vetëm ka frikë dhe ndihet i pasigurtë. Hap librin për të parë ç'duhet të bëjë dhe vërtet aty është parashikuar dhe kjo situatë. Këshilla është: rri i qetë mos ki frikë. Në këtë pikë subjekti e kupton që është një tjetër lojë, që s'ka asnjë lidhje me atë që thuhet në libra.

Në fakt, si mund të japësh këshilla kur shkenca thotë se njeriu e ndan mendjen për t'i dhënë një shans tjetrit brenda 3-4 sekondave. Sikur të sugjeronin ndonjë formulë kimike do ishtë shumë më e besueshme.

“Qenka lojë tjetër...”, psherëtiu prapë subjekti.

Qëllimisht nuk përmendet një faktor me shumë rëndësi, leku. Por kjo do çonte në pyetje si të bëjmë lekë dhe për këtë bibliografia është shumë më e gjerë. Dhe meqë ra muhabeti, pse rrinë shkruajnë libra në vend që të fitojnë para kur qenka kaq e thjeshtë.

Është tjetër lojë.

Që ta mbyllim pjesën e parë se e zgjatëm, ka vetëm një zgjidhje që s'ka gabuar kurrë: ul pretendimet dhe ke për ta parë çfarë suksesi do kesh.

Po s'të pëlqeu kjo, ke Amsterdamin. Është çikë shtrenjtë, por kur s'ia del dot vetë...

Le të vijmë tani te çështja kryesore për sot. Ka nja 10-15 vjet që në botë ka lindur një fenomen i ri, që me gjasë në shqipëri do vijë pas 5-10 vjetësh, por është mirë të jemi të përgatitur. Bota jashtë ka filluar të luajë në bursë në Internet. Ka plot firma brokerash që të vënë në dispozicion një llogari (që do e mbushësh me paratë e tua) dhe një mal me informacione për të gjitha kompanitë, aksionet, trendet, raportet financiare, etj. Është dhe varianti më i thjeshtë me shkëmbim valutor tip iForex.
Tani, është normale që ti të mos marrësh vesh nga biznesi dhe të mos i hysh kësaj loje. Për këtë arsye firmat të lënë në dispozicion një llogari dummy me të cilën mund të luash në tregun e vërtetë. Kur mbarojnë paratë e kësaj llogarie mund të hapësh një tjetër derisa t’ia marrësh dorën. Si të thuash, po e pe veten të aftë për këtë lojë futu pasurohu, po nuk e pe merru me diçka tjetër, humbje nuk pate kurrsesi. Fair apo jo?

Patjetër që firma broker do ketë fitimin e vet. Do marrë 5-10% të tranzaksioneve. Ok, mjafton pra të jesh më i aftë se 60% e njerëzve dhe del me fitim në bursë. Ky s’është problem, Skifteri Progress Report konfirmon në mënyrë konsistente se çdo vit 99,9% e popullsisë mendojnë se bëjnë pjesë te gjysma e zgjuar.

E merr subjekti lojën, e ushtron dy-tre muaj me lekët e brokerit dhe pas vështirësive të fillimit në krye të muajit të tretë del me plus. Ja pra që me punë arrihet gjithçka.

Fillon të luajë me para të vertetë...Menjëherë fillon vë re dy gjëra. Paraja e vërtetë i dhimbset shumë dhe në fillim nuk luan përveç se me risk të vogël. E dyta, trendi i fitimit nuk është gjithmonë me plus. Për të parë sa ke fituar duhet të kalojë rreth një vit. Dhe e treta (këtë po e thotë Skifteri se subjekti s’do vërë re), nuk mjafton të jesh më i aftë se 60% e njerëzve. Duhet të jesh më i aftë se 60% e atyre që luajnë si dhe ai 60% duhet ponderuar me paratë që vihen në lojë. Për tu kuptuar, një ekspert i Nasdaq që luan me shuma të mëdha mund tu gllabërojë paratë një milion lojtarëve të vegjël vetëm me një lëvizje.

“Edhe kjo qënka lojë tjetër” psherëtin sërish subjekti pas dështimit me femrat, sepse ata që patën sukses s’kishin kohë t’i hynin këtij muhabeti.

The next Wolf of Wall Street

Por subjekti nuk dorëzohet kollaj se ka lexuar nëpër libra të mos dorëzohet kurrë. Duke dalë me humbje vitin e parë dhe të dytë, vitin e tretë arrin të dalë më plus dhe fillon të luajë më shuma më të mëdha për të rekuperuar lekët. Por prapë fillon të humbasë. Pse do thoni ju? Është lojë tjetër. Të luash me shuma të mëdha është tjetër biznes.

Sa më shumë luan fillon e kupton se loja e bursës ngjan shumë me bastet. Edhe fitimet më të mëdha vijne kur ndeshjet janë të trukuara. Për më tepër, paratë nuk i tërheq asnjë nga llogaria, kurrë. Ama për imazh nuk krahasohet fare me bixhozxhinjtë? Me se merresh? Luaj në bursë. Tip inteligjent dhe me super të ardhme përpara. Ladies, hë pra, jump on him!

Duke pritur të hapet bursa e Tokyos
Gjeniu i vogël: Ato lekë a do i harxhoje në kafe?

February 20, 2014

[Anatomi] Uri Minzok

Lexonjës pasionantë,

E mbani mend historinë e mbetjeve kimike siriane? Normal që po, e paharrueshme si puthja e parë.
Për Skifterin ishte një nga gjërat më të bukura të 2013, populli në revoltë spontane, mijëra facebook cover photos kundër importimit të mbetjeve në Shqipëri, shoqëria civile aktive, protesta të paorganizuara nga ndonjë fuqi politike, shqiptarë të irrituar për të ardhmen e fëmijëve të tyre, të gjithë vendit…

Shqiptarë largpamës për t`i rënë shkurt. Shqiptarë që ngritën zërin për të mirën e përbashkët.
Tani, po të ishte thjesht një post për mbetjet kimike do e mbyllnin këtu, por redaksia na kërkon edhe dy paragrafë, kështu që të mendojmë negativisht që mendimi të rrjedhë vetë si Shkumbini në dimër. Mbase jo këtë dimër, po ka patur vite që edhe ka rrjedhur.

Po flisnim për popullin tonë që për një moment na mbushi me shpresë për të ardhmen. Bravo, ky është sensi i komunitetit.

Vetëm se duke menduar këto sheh njërin nga këta, me status facebook-u me katër pikëçuditëse kundër mbetjeve, duke hedhur plehrat e veta nga ballkoni, qesen e paketës në rrugë, gjithë mbeturinat e piknikut në Dajt, etj.

I njëjti shqiptar i revoltuar nuk do e vriste mendjen në qoftë se komshiu i tij do e kishte shtëpinë plot me mbetje kimike, mjafton që brenda shtëpisë së vet të jetë pastër. E njëjta gjë edhe me lokalet, të cilat kujdesen në mënyrë strikte vetëm për metrat katrorë që kanë paguar.

Po plehrat që digjen buzë rrugës afër Dhërmiut? Po ato të hedhura në rrugë?

Gjithsesi, ëndrra në sirtar e Camorra-s mbetet Shqipëria

Para ca kohësh, në Lushnje erdhën ca vullnetarë suedezë për pastrimin e qytetit dhe për sensibilizimin e publikut. Pamjet në lajme ishin fantastike. Gjithë qyteti në festë, ditë me diell, të gjithë nëpër trotuare duke parë të rinjtë suedezë duke pastruar, duke hedhur herë pas here edhe ndonjë filtër në cep për të parë aftësinë e nordikut në pastrim. Asnjë pikë sensibilizimi, asnjë nuk ndihmoi. Për qytetin e tyre, ku jetojnë po vetë. Maksimumi “bravo suedezi e, qysh e pastroi komplet e, pse s`i marrim çdo muaj ne këta e”.

Miopi tipike për shqiptarin kjo. E njëjta miopi kur kapin një vend pune me mik dhe ankohen për Shqipërinë. Për plehrat e njëjta gjë, ankohen dhe presin nga qielli.

Skifteri pra më në fund vjen me një mesazh kundër forcave të errëta që duan të na dëmtojnë:
Ne mund të kthejmë në një kosh plehrash këtë vend brenda 10 vjetësh, po të duam nuk riciklojmë kurrë, i djegim plehrat në rrugë dhe i hedhim nga ballkoni. Por janë plehrat tona. Nuk ka manipulues të na ulë kokën për të pranuar mbetje nga jashtë.

Emër mbiemër firmë – Shqiptari tipik X.

February 18, 2014

[Mitologji] The Union

Vitet 2007-2009 kanë qenë pa dyshim vitet më të vështira për Shqipërinë që nga viti 1997. Me një ekonomi që çalonte, me një maxhorancë që nuk mbajti dot premtimet elektorale dhe me një opozitë ende të pakonsoliduar për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve, Shqipëria po drejtohej me 200 km/h drejt greminës. Situata politike gjithnjë kishte qenë e tillë por kurrë si në ato vite qytetari nuk ishte kaq i vetmuar...

Në maj të vitit 2007, dy gjigandët e mediave ranë dakord për shitjen e frekuencave të Teuta TV boom-it të ardhshëm UTV. Bashkë me transferimin e shumës marramendëse prej dymbëdhjetë mijë e dyqind e dyzet e katër euro, emisioni 10 vjeçar "Koha për tu zgjuar" ose si njihet ndryshe "Një kafe me Bashkimin" pushoi së ekzistuari (për dy vjet).

Me një titull në stil tabloido-rilindas "Koha për tu zgjuar" nuk ishte thjesht një zile për të vajtur në punë, ishte një thirrje e ngjirur për zgjimin e popullit shqiptar. I lindur si fillim për hallet dhe problemet e Durrësit, Shkozetit dhe Qafzotajt, emisioni u shndërrua në një kanal shkarkimi për presionin, tensionin dhe stresin e një populli të tërë. Një valvul për mbarëvajtjen e shoqërisë. Vetëm dy persona. Gjithë stafi i emisionit mund të transportohet me një Smart. Kjo është të jesh brilant. Në qoftë se kamerën e sjell një shok pastaj... Bashkimi, i cili me fytyrën e tij babaxhane gjykonte më drejt se një plak i urtë, arriti performancën e paarritshme duke u dhënë të drejtë të gjithë telefonuesve. Me një akrobaci moderatori të lindur arrinte të frenonte vrullin e shthurur të militantëve, ndërsa kur biseda degjeneronte në sharje me emra të përveçëm biseda ndërpritej sa ngre dhe ul gishtin. Në fakt i duhen njohur merita edhe operatorit. Nuk është e lehtë të inkuadrohen të gjitha situatat, gjestet dhe shprehjet e fytyrës versatile të Bashkimit. Rezultati? Një emision dinamik, befasues dhe i gjithi për tu ndjekur deri në orën 09:00.

Shpeshherë, emisioni ka rënë pre e zilive dhe e përbuzjeve të talk-shows moderne dhe gazetarisë në përgjithësi. Motivacioni kryesor ka qenë thjeshtësia e strukturës së emisionit. "Një emision si ai e realizojmë kur të duash". Dhe prapë, asnjë emision i ngjashëm me të nuk është nisur në media. Para rihapjes së tij në vitin 2009 tek News24, ka ekzistuar një përpjekje e dëshpëruar në TV Klan me “Thuaja Kelit". Një fiasko. Emision i ngathët dhe anonimati nuk garantohej. Dhe sa e sa përpjekje të dështuara.

Atëherë cili është sekreti? Është një kompleks faktorësh shumë i vështirë për tu shpjeguar. Mbase duhet brisku i Occam. Ndonjëherë njerëzit kërkojnë tek e vështira për të gjetur të lehtën. Ndonjëherë punojnë shumë për të prodhuar pak. Ndonjëherë shkojnë shumë larg kur rezultati është mjaft pranë. Ndonjëherë godasin fort për të hapur një kuti të dobët. Ndonjëherë... harrojnë... që duhet një durim stoik, një qëndrim peshoreje, një falje hyjnore, një qetësi olimpike për të mos u thënë njerëzve: “Mirë, boll fole tani se na çave *****" dhe mbyllje telefoni. Për këtë, për librin "Heronjtë e viagrës”, për intervistën me Jezusin, zgjidhjen e krizës financiare, zgjidhjen e paradoksit të gënjeshtarit dhe gjetjen e kurës kundër kancerit në pankreas, më 30 qershor 2010 Presidenti i Republikës z. Bamir Topi i akordoi z. Bashkim Hoxha titullin MJESHTER I MADH DHE I MIRË.
Rimishërimi i Faik Konicës, Bashkimi di çdo hall të çdo njeriu që zgjohet para orës nëntë.

Pjesë nga fjalimi i Bashkimit gjatë ceremonisë:
We are Anonymous. We are Legion. We do not forgive. We do not forget. Expect us. Dhe kto kanalizimet n`Durrs mooo, problem i modh.

Gjeniu i vogël janë 99% të telefonatave te Bashkimi me tre hapa:
1. ”Bashkimo, po këta plehraaat e ndyraaa...”
2. Mbyllje e telefonit.
3. “Nuk kemi pse të kalojmë në sharje dhe fyerje, ky është një emision që duhet të reflektojë vlerat qytetare. Presim një tjetër telefonatë. Alo...”



February 13, 2014

[Flora dhe Fauna] Lexonjësit më përzgjedhës në botë

Skifteri, duke qenë natyra më solare në sistemin diellor, ka një interes të veçantë ndaj njerëzve që e bëjnë të qeshin, pavarësisht se këta njerëz numërohen me gishtat e dorës së një çmontuesi minash. Por gjithsesi respekt maksimal për njerëzit e humorit, ky post është një tribut për batutat e pavdekshme shqiptare.

 Ato batuta që përdoren edhe sot e kësaj dite, nga njerëz së cilëve Skifteri do u bënte si dhuratë pa hezitim një trajtim komplet me Zyklon B.

Kjo është një Top 5, por janë me qindra, le të punojmë së bashku që mos ti humbim, janë thesar kombëtar. Dhe t`i japim Çezarit etj etj:

1.     “Gjithë ata burra vrapojnë pas një topi. Pse s’u japin të gjithëve nga një top dhe të rrinë rehat”. Xhevdet Hoxha, Xhevo siç njihej nga shokët, tifoz ultras i Tironës, i tha këto fjalë të famshme gjatë një ndeshjeje Partizani-Dinamo, 0-0, 1964. Pas 50 vjetësh akoma tingëllon e fuqishme, shokuese, me disa nivele, thjesht brilante. Rock on Xhevo.

2.    “Po dridhet avioni se është rruga me gropa”.  Nga Aurela Hoxha, mbesa e legjendës më sipër. Sepse dardha bie nën dardhë. Fatkeqësisht. Dhe perché io valgo se kemi kohë që kemi dashur ta përdorim po s`dinim ku ta fusnim.

3.    ”Ndaloi treni se iu ça goma”, e Kristo Peristerit, e thënë gjatë një udhëtimi në TR-DR Express. Ishin kohërat kur çunat e Sukthit thyenin xhamat e trenave me gurë, gjë që solli edhe vdekjen tragjike të Kristos...gur i mallkuar. Një Pirro modern, që luftoi me gjuhë, jo me armë.

4.    ”Mirëmbrëma” kur nxënësi vjen me vonesë dhe “Pse qesh? Na thuaj të qeshim të gjithë” po ndaj nxënësit. Kjo lloj sarkazme, më therëse se mashetat në Ruanda, u ka siguruar këtyre mësuesve antipati të përjetshme. Po të gjithë njerëzit e mëdhenj kanë shkaktuar antipati, asgjë e habitshme.

5.    ”E ke me sustë në shtëpi?” e Leonidha Dilaverit, 1972. Dera me sustë, Leonidha vdiq pa e realizuar kurrë këtë ëndërr, aksident në punishte. La tre fëmijë, njëri nga të cilët shpiku dhe patentoi derën më sustë që shohim sot.

Aq i patalentuar sa për pak bëhet simpatik për vetbesimin që ka

E pra, ndihesh bosh? Nuk di çfarë të thuash? Do të thyhesh akullin në një rreth social?

Mund të zgjedhësh një nga ato të pesta, cilëndo, ta thuash edhe pa kontekst, të gjithë do ta kuptojnë, do të të japin minimalisht një buzëqeshje, do tregosh që ti ke shumë për të dhënë, çfarë shohin të tjerët është maja e asaj gjësë që i çau gomat Titanikut (lol, e shef si u bë batuta?)…

Kështu, gjithçka nisi me një batutë. E cila u kthye në klasike. Pastaj u bë folklor. Pastaj erdhi Unesco. Pastaj doli greku dhe tha që batuta vjen nga Kallamata. Pastaj doli një studiues francez që shkroi një libër ku jepen 2-3 versione të mundshme.

Në fund erdhi Skifteri, drejtësia u vu në vend. Dhe ai pa që ishte mirë (cit.).

February 11, 2014

[Art dhe Kulturë] Nuk ka dy pa tre thotë latini

Para disa ditësh Skifteri mori këtë letër:
Zoti Skifter,
A mendoni se me botimet e fundit Shqiperia ka bërë një hap cilësor në botën e penës?
Me sinqeritet,
A.D.

Ka njerëz që kur shohin diçka të çuditshme, ngrenë njërën vetull në mënyrë edhe më të çuditshme. Por Skifteri nuk bën nga këto gjeste. Ai thjesht mendoi: A.D.... të jetë mashkull apo femër? Nëse është femër, të jetë ndonjë farë femre? Nëse është ndonjë farë femre, të jetë ndonjë qefleshë? Dhe nëse është qefleshë çne që na pyet për libra? Dhe a ekziston një femër që t`i ketë të dyja këto? Nqs po, ku është?

Pyetje ekzistenciale që kanë torturuar njerëzimin për shekuj...

Nejse, ju e dini që Skifteri s'bën dallime dhe e pranoi sfidën. Ku paskemi qënë gjatë gjithë këtij katapultimi? Prandaj, kapëm tre pena të rënda të Shqipërisë që të mos kemi diskutime më vonë.

Pena I
Blendi Fevziu me biografinë e Enver Hoxhës. Një libër prej 400 faqesh, 25 kapitujsh dhe 62 figurash. Me mbi 50 dëshmitarë, 12 recensorë (numër dishepujsh ky) dhe mbi 10 kolegë që kanë ndihmuar. Goxha projekt...
E megjithatë nëse libri do të titullohej "Krimet e E.H." mesiguri që do të shkaktonte te lexuesi efektin "wow". Nëse dikush do të mësojë për jetën dhe veprimtarinë e diktatorit do mbetet shumë i zhgënjyer. Në kopertinë trumpetohej një biografi e bazuar mbi arkivin personal të diktatorit, kurse në të vërtetë 99% të librit e përbën biografia e viktimave të regjimit dhe mënyra si e kanë përjetuar dënimin, 1% përpjekjet e diktatorit për të dënuar sa më shumë njerëz. Është si të lexosh në një biografi të Jul Çezarit rrëfimin e ushtarit Liviu Tiberius: "Mbajta anën e Pompeit dhe nuk ma fali kurrë gabimin... Kushtet në birucë janë si mos më keq...". Asnjë analizë e ngjarjeve politike, prishja me Jugosllavinë, me Bashkimin Sovietik, me Kinën, intrigat në qarqet e larta, asgjë. Për më tepër, që të eleminosh një, duhet të bësh aleancë me dhjetë. Ku janë këto? Kurse në libër duket sikur Enveri është ai personazhi negativ në filma për fëmijë, i cili thjesht do të bëjë keq, pa asnjë qëllim, thjesht është shumë, shumë i lig. Dhe komplet i çmendur, një sociopat dhe kaq. Kaq e thjeshtë është? Kë ke target si lexues Blendo, adhuruesit e telenovelave?
Pastaj, libri është shkruar me një frymë aq sa arrin të gjesh një gabim në çdo dy faqe. Me gjithë ata recensorë... sikur t'ia kishte dhënë Drinit për gabimet ortografike... Nejse, u falet, është shkruar në periudhë vere, me gjithë pushimet në mes. Po ç'kusur kishte Skifteri thuaj.

Një nga recensorët në prezantimin e librit të Blendit. Në sfond kritikë të shumtë.


Pena II
Disi më modest Mustafa Nano që ndoshta duke u ndjerë në periferi te vëmendjes vendosi dhe ai të shkruajë libër. Unë jam Gegë. Këtij titulli një X shqiptar mund t’i përgjigjej: „Kurse unë jam nga Tirana, gëzohem!”. Por ja që njerëzit duan polemikë dhe debati i Facebook-ut u transferua në TV. Dhe autori detyrohet t’u shpjegojë librin audiencës dhe të ftuarve, gjysma e së cilëve nuk e kishin lexuar, por gojën e kishin brisk. Një shkrimtar i madh apo i vogël nuk thotë kurrë „me këtë libër kam dashur të them se...”. Në qoftë se do të dish çfarë është dashur të thuhet, lexo librin. Po të thuhej me një fjali nuk do shkruheshin 300 faqe. Por mbase ideja e librit ishte aq e thjeshtë saqë autori mund të ishte kufizuar dhe me një status të thjeshtë në Facebook.



Libri i Muçit nuk hiqet nga dora.

Pena III
Last but not least, Ben Blushi me Shqipërinë. Bukur, bukur, po aty Skifterin e zuri gjumi se Beni e kishte marrë me shuuuuu...uuuuumë nge.

Si përfundim duhet ta pranojmë, diçka-diçka po lëviz.

Kështu pra zonjusha A.D... 22:00 - 23:00 e ka Skifteri orarin e vizitave. Astenersi perditempo, siç thotë neolatini.

Gjeniu i vogël: Milani nuk po lufton për vendin e tretë sepse ka plan që të hyjë në Champions si skuadra kampione.

February 7, 2014

[Life style] I have a dream...

Lexonjës trima,
Skifteri për momentin ndodhet në Juba, duke dhënë maksimumin për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë të konfliktit këtu. Situata duket e ndërlikuar, por po të na frikësonin sfidat s`do ishim këtu por në Isla Mujeres si çdo fillim shkurti.

Sot do e bënim pushim, por jo më larg dhe as më afër se dje kemi marrë 1.22 milion emaile që akuzonin blogun për përcjelljen e një fryme cinike. Drejtësia duhet vendosur në vend, këto janë aludime të pabaza madje madje biles biles është montazh.

Me sinqeritetin dhe përulësinë e një murgu, Skifteri deklaron që kurrë nuk niset për të parë gjërat me negativitet, po rrugës se si rrokulliset mendimi...

Ja për shembull, ta bëjmë një provë, pa humbur kohë. Sepse koha është para. Kjo shprehje vlen për një pakicë, po kjo është temë tjetër.

Fillojmë një mendim çfarëdo:
Shqipëria vend fantastik. Klimë spektakolare, vende të virgjëra (se virgjërinë e kemi të shenjtë jo për gjë), njerëz të gjallë, pasionantë, të vërtetë. Pak të sofistikuar, po të vërtetë, nervi është nerv, e qeshura mbush lokalin...

Lokali, lokali, lokali...

Nejse, ptu ptu ptu larg cinizëm, vade retro.

Vazhdojmë. Ka lezet fakti që rrugët janë plot, por duhet thënë se ngjyrat shqiptarët nuk i durojnë dot, mbizotëron e zeza në veshje, ngjyrë e sigurt…

Edhe njëherë. I japim vetes edhe një shans.

Ka shumë vende, edhe disa kryeqytete europiane, të cilat janë thjesht të vdekura  shumicën dërrmuese të kohës, njerëz të plogësht, rrugët bosh, jeta shumë e programuar, ditët e javës duket sikur s`jetohet, e diela është edhe më e shëmtuar se në Tiranë.

Në Tiranë mbizotëron relaksi dhe për këtë nuk mund të ankohesh…

Po le ta bëjmë gjithsesi, boll u fshehëm. Nuk ka popull më pasiv, me ritëm më të ngadaltë jete, më dembelë se ne. Thjesht nuk ka. Maksimumi barazim. Dhe nuk po flasim për efektet e papunësisë. Të pasur, të varfër, shtresë e mesme, s`ka rëndësi. Vegjetim total, përtesë, kafe disaorëshe, rri dhe prit vdekjen.
Shkëmbim idesh rreth temës “1.2 benzinë vs 1.9 naftë”. Në Shqipëri, çdo tavolinë, me ligj, është e detyruar të ketë një xhup lëkure.

Të thuash që janë njerëzit më me ngjyra në botë dhe temat në tavolinë s`kanë të sosur nuk ta nxë goja, të thuash që s`ke çfarë bën tjetër është t`i biesh shkurt. Ku qëndron problemi?

Thjesht jemi kokrra përtacësh, çdo punë mund të shtyhet, këtu jemi, pastaj me çunat s`jemi parë fare u bë dy ditë, kushedi sa gjëra kam humbur, pastaj jemi qenie sociale për tu patur zili, jo po si andej nga Amerika ku izolohen, prandaj çfarë s`ndodh andej…

Tani, qëllimi i gjithë kësaj ishte kjo:

E keni parasysh që thonë që duhet të bësh atë që di të bësh më mirë? Ashtu, ne këtë kemi, hajde të bëhëmi numri 1 në botë.

Le t`i vëmë vetes një objektiv të prekshëm. Skifteri sugjeron Jemenin. Aty duhet të arrijmë brenda pesë vjetësh. Në Jemen edhe protestat që u frymëzuan nga pranvera arabe shuheshin nga dreka, sepse thuajse gjithë populli konsumon (mban në gojë) një lloj droge që quhet qat, tradicionalisht. Nga ora 1-2 harrohej fare protesta, vinte gjumi, gjehej një vend me hije dhe çunat e Jemenit çlodheshin se protestë ka prapë nesër.

Cmirë e zezë, ë?

Mos u pezmato shqiptar, mos e lësho veten. Nuk ka gjë që nuk arrihet me pak vullnet, nuk është kurrë vonë, kështu që legalizojmë barin si fillim, mjaft më me çunat të strukur nëpër hyrje lagjesh, jo më shumë se 25 orë pune në javë, e drejtë pushimi kur bie shi ose ka trafik Rruga e Kavajës, futja e të gjitha feve festat e së cilave nuk koinçidojnë me Krishtlindje, Pashkë, Bajram, Nevruz.

Ja pra, u faktua që Skifteri jo vetëm që vë në dukje anët pozitive të njerëzve dhe ngjarjeve, por mbështet zhvillimin e këtyre aspekteve me ide dhe energji të pashtershme.

Siç thotë anglosaksoni, lec mejk dhis hepën.

Fundjavë fantazmagorike thuajse të gjithëve. Përqafime sikur të mos kishte të nesërme për një pakicë që Skifteri ka në mendje. E dini vetë ju kush jeni.

Gjeniu i vogël: Këto plehrat që shërbejnë në pube s'i pi se i kam me merak. Vetëm raki, gjo e pastër.