Tani vazhdojmë të qetë.
Skifteri është shumë krenar që jeton në Shqipëri, një vend ku ligji nuk zbatohet shkronjë për shkronjë por mbizotëron bon sensi. E megjithatë, para ligjit të gjithë janë të barabartë.
Ngjarjet e fundit në lidhje me drogën e kanë ndarë opinionin publik në më shumë se dy pjesë. Secili ka këndvështrimin e tij dhe nxjerr përfundime sipas qejfit dhe interesit. Më shumë nga të gjithë më shqetëson një farë mendimi që për fat të keq e kanë edhe disa prej miqve më të mirë të Skifterit. Dyshimet e tyre mund të përmblidhen me pak fjalë si më poshtë:
Është skandaloze të merresh me një makinë, avion apo mushkë, qoftë ajo një linjë e rregullt apo sporadike, në një kohë kur dihet burimi i prodhimit të drogës, me adresë të saktë dhe me gjerësi dhe gjatësi gjeografike të njohur (së fundmi, plantacionet me cannabis sativa mund të shikohen dhe me Google Earth, për tu admiruar pjelloria duke pasur parasysh shkretinat përreth. Shënim i autorit). Nëse mund të shkatërrosh burimin që është një (ose disa, por gjithsesi pak), pse të lodhesh me shpërndarjen e cila ka mbi një mijë degë?
Dyshimi i dytë: pse një konsumator droge mund të dënohet (dhe është dënuar) me pesë deri në dhjetë vjet burg, ndërsa një prodhues droge për një milion konsumatorë nuk preket me dorë?
Dyshimi i tretë: përse droga tolerohet kurse krimet e tjera si vrasja dhe vjedhja nuk tolerohen?
![]() |
Naimit dhe Çajupit u ra goja për këto mrekulli |
Po u përgjigjemi shkurt por qartë. Në radhë të parë, janë të gjitha teori konspirative ato që mendojnë se shteti privilegjon Lazaratin, është thjesht çështje bon sensi. Si mund të flaken në rrugë dhjetë mijë të punësuar në një kohë kur qeveria po mundohet të ulë papunësinë? Duhen hapur vende të reja, jo të mbyllen ato ekzistente.
E dyta, si mund të burgosësh një bujk i cili thjesht mbjell dhe korr. Për bujkun është madje më e vështirë mbjellja e cannabisit, një bimë kërkuese në përkujdesje, sesa mbjellja e mollës, domates, etj. Thjesht tregu ka vendosur që kjo kulturë shitet më shtrenjtë.
E treta, si mund të djegësh gjithë atë gjelbërim që janë mushkëritë e një qyteti/fshati?
E katërta, mbasi fqinjët tanë kanë eksportuar drejt nesh lloj-lloj ushqimesh të skaduara, plehra etj, nuk është koha t`ua kthejmë me të njëjtën monedhë? Madje madje, kjo është të kthesh faqen tjetër, sepse në kohë krize Shqipëria mundohet të relaksojë gjithë Europën.
E pesta, Lazarati i shkretë ka bad PR, e keni idenë sa fshatra në Shqiperi kanë të njëjtën agrikulturë?
E gjashta, kot na e ka dhënë natyra klimën ideale për këtë? Afganistani i shkretë u mundua të mbjellë cannabis, nuk mundi, uli kokën në turp dhe bëri kompromis me opiumin. S`ke pulën do hash sorrën.
E shtata dhe më e rëndësishmja, faktori ekonomik. Pse të mbajmë me shpenzime ata 10 000 veta të cilët sot na kanë në kurriz?
Por si shtrohet problemi nga ana juridike? A jemi në anën e të drejtës? Po. Të gjithë jemi të barabartë përpara ligjit, problemi është kë do nxjerrim përpara ligjit. Sot për sot nuk na leverdis ta nxerrim motorin tonë ekonomik përpara ligjit.
Po si mund ti përgjigjemi një xhepisti të linjës Kinostudio-Kombinat që dergjet në qeli dhe thërret për drejtesi? Jeni shumë pak. Njëzet? Tridhjetë? Mundohuni të kaloni mijëshin dhe do t’ju trajtojmë ndryshe. Mos shkoni vetë të vidhni por punësoni të dytë dhe të tretë. Mos operoni në një linjë autobuzi, por hapni filiale në të gjithë vendin. Bashkohuni, ngrehuni dhe bjeruni, korrini dhe shtypini, katundar' e punëtorë, që nga Shkodra…
PS: U themi atyre që na kanë inat se nuk mjafton 1 tërmet për të intimiduar Skifterin.