Festa e shpalljes së pavarësisë po afron dhe të gjithëve na kanë kapur ethet e vigjiljes. Mua s'm'u durua dhe urova para kohe. Megjithatë shumica e shqiptarëve janë edhe më të ekzaltuar se unë. Këta gëzojnë sikur të kishin dyshime se edhe s'mund të vinte 100 vjetori. Qeveria si dhe çdo festë tjetër e merr si arritje: "E morëm Shqiperinë me 92 vjet pavarësi dhe e sollem me plot 100 vjet. Pra 9% rritje. Jo vetem kaq, por edhe 68 vjet çlirim (me këtë në fakt s'mburren dhe aq shumë) si dhe 22 vjet pluralizëm".
Pseudo patriotët pastaj... Duke filluar që nga këngëtarët. Alban Skënderaj: "Kjo Këngë Magjike ishte më e veshtirë se qëlloi dhe për një vit të veçantë për gjithë shqiptarët...". Mos u përpoq Zajmina, Rozana Radi dhe Ermal Mamaqi të bënin këngë më të bukura këtë vit duke e vështirësuar kompeticionin? E duke mbaruar me njerzit në facebook, me flamura, shprehje të Naimit, Samiut, Fishtës, etc.
Shumë mirë që po festojnë, madje duhet të kishin festuar më shumë dhe ndryshe. Por ama le ta pranojmë haptazi: ne s'kemi asnjë meritë që Shqipëria mbushi 100 vjet pavarësi. Keshtu që rroftë ata që na çliruan dhe kaq. Do vëmë bast që Shqiperia do mbushë dhe 1000 vjet pavarësi? Eshte çështje fizike e kalimit te kohës dhe jo çeshtje patriotike.
Si përfundim, për t'u distancuar qëllimisht nga qaramanët që vetëm ankohen dhe nuk ofrojnë zgjidhje, po hedh në ajër ca ide naive (patriotike). Qeveritarët, kryebashkiakët, etc., pranojnë se ndërtimi i një rruge nuk është arritje meritë por thjesht një zbatim detyre. Opozita pranon se të metat (jo Meta-t) e pozitës nuk mjaftojnë për të thënë se ata e meritojnë pushtetin. Në këngën magjike 2013, Ardit Gjebrea nuk lejon më shumë se 50% këngë të huazuara. Secili shqiptar fillon dhe punon dy orë më shumë në ditë (edhe kështu nuk do e plotësojë tetë-orëshin). Me këto rroga nuk ia vlen të punosh? Ashtu është, por ne nuk punojmë për para, ne punojmë për atdheun sepse jemi patriotë.
Dhe tani le të fillojë festa...
Dhe pas gjithë këtyre kremtimeve më 29.11.2012:
- Çuno ma boj 'i kafe!
- Po ju?
- Edhe mu një kafe me pak sheqer.