Në kryeveprën e Dostojevskit, Vëllezërit Karamazov, ka një pjesë që quhet Inkuizitori i madh. Jezusi zbret në tokë, në Spanjë, në shekullin XVI, fillon të ushqejë të varfërit, të shërojë të sëmurët, kur arrestohet menjëherë nga kardinali. Ky i fundit i shkon në qeli natën dhe i mban një monolog Jezusit. Midis të tjerave, kardinali e akuzon Jezusin për sjelljen e tij në një nga tundimet e Djallit së cilave Jezusi u kishte rezistuar.
Djalli i kishte sugjeruar Jezusit t`i kthente gurët në bukë dhe të gjithë do e adhuronin, por Jezusi zgjodhi t`u jepte njerëzve vetëm lirinë e zgjedhjes, jo bukën. Këtu kardinali thotë një fjali për t`u mbajtur mend:
Ushqeji njerëzit, pastaj kërko prej tyre virtytin!
Ky post nuk ka asnjë lidhje me fenë, as me Dostojevskin në fakt. Për të qenë të sinqertë, Dostojevski ka dashur të shprehë të tjera ide kur ka shkruar pjesën e lartpërmendur. Por le ta përdorim për qëllimet tona, duke shpresuar të mos na akuzojnë për montazh për pjesën më sipër, se po ndryshojmë kontekstin.
Po flitet jashtëzakonisht shumë për vetëdeklarimin e kombësisë në Shqipëri, me njerëz që bëjnë moral nga të katërta anët. Tani, përveç faktit se kombësinë nuk mund ta zgjedhësh dhe ky vetëdeklarim nuk i sjell Shqipërisë asgjë pozitive, vlen të merremi pak me këta moralistët.
Sipas këtyre, është turpi më i madh të deklarosh që je grek për një pension, këta njerëz nuk meritojnë asgjë. Pretendojnë dinjitet pa menduar për rrethanat dhe shkaqet, duke thënë “unë s`do e bëja kurrë”.
Nga ana tjetër shikojmë në lajme që vidhen shinat e trenit dhe kabllot nga shtyllat elektrike për t`u shitur për hekur/bakër; çfarë thonë moralistët?
“Çfarë kafshësh! Unë s`do e bëja kurrë!”
Këta njerëz nuk dinë çfarë thonë. Kush është ai që ka qejf të dalë natën për të vjedhur kapakët e pusetave? Një fshatar në Korçë do e ndërronte kombësinë se do tingëllonte më bukur të thoshte që është grek?
JO, virtytin duhet ta pretendojmë nga politikanët, ata duhet të sigurojnë punë (dhe si rrjedhojë bukë) për këta njerëz. Dakord, vetëdeklarimi nuk duhet lejuar, se nuk ka asnjë kuptim - po e pamë me kufijtë detarë sa e vrasin mendjen për kuptim këta – por të mos u kërkojmë njerëzve me barkun bosh të kenë ideale dhe patriotizëm.
Nuk e mbani mend që ne, po ne, u kthyem në myslimanë për të mos paguar taksa?
Ironia më e madhe është kur dëgjon këto dy gjëra:
1. Epo të vjedhësh edhe kapakët e pusetave…vetëm në Shqipëri mund të ndodhë.
2. Tani…normal që çikë do vjedhë…politikan…si gjithë të tjerët.
Këta ishin moralistët (mos ndonjëri prej tyre është mysliman?), të shkojnë të mbyten.